Kosova

Lajçak: Së shpejti do ta vizitoj Prishtinën për t’u takuar me Kurtin

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën për t’u takuar me kryeministrin e ardhshëm, Albin Kurti.

Në një intervistë për European Western Balkans, ai ka thënë se duke parë rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje në krye me Albin Kurtin pritet ta marrë një mandat shumë të fortë në krye të qeverisë, njofton Klan Kosova.

“Tani kemi rezultatin e zgjedhjeve, kemi Lëvizjen Vetëvendosje të drejtuar nga Albin Kurti që po fiton dhe po merr një mandat shumë të fortë. Kjo është diçka që ka munguar në Qeverinë Hoti”.

“Bashkimi Evropian pret që procesi i dialogut të vazhdojë sepse rruga evropiane për Kosovën dhe Serbinë kalon përmes dialogut”.

Sipas tij, nuk ka të ardhme evropianë pa dialog; prandaj është në interesin e Prishtinës dhe Beogradit që ta vazhdojnë dialogun dhe Bashkimi Evropian është gati të ndihmojë në këtë proces.

“Serbia dhe Kosova kanë ambicie evropiane dhe Bashkimi Evropian e ka bërë shumë të qartë se normalizimi i marrëdhënieve është kusht – kjo është ajo që presin shtetet anëtare dhe nuk ka rrugë tjetër. Ju duhet ta bëni tani apo duhet të prisni dhe ta bëni më vonë, por ju jeni duke humbur kohë”.

I pyetur se a frikësohet nga deklarimet e Kurtit i cili ka thënë se dialogu me Serbinë nuk do të jetë prioritet i qeverisë së ardhshme, ai ka thënë se së shpejti do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin.

“Nuk jemi këtu të frikësohemi, ne jemi këtu për të ofruar zgjidhje dhe unë jam duke planifikuar që ta vizitoj Prishtinën dhe Beogradin së shpejti dhe natyrisht të ulëm me presidentin serb Aleksandër Vuçiq dhe kryeministrin e ardhshëm Albin Kurtin si dhe partnerët tjerë për ta diskutuar vazhdimin e procesit të dialogut”.