Kosova

Kurti, pas takimit me Lajçak: Dialogu vazhdon të jetë prioriteti ynë i katërt

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, duket se nuk është bindur as pas takimit me Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, që dialogu të jetë prioriteti i parë ose i dytë – dhe jo i katërti.

“Më informoi me procesin e dialogut në përgjithësi. Unë shpjegova edhe një herë që ne i kemi fituar këto zgjedhje me programin tonë që përqendrohet te drejtësia dhe punësimi, se jemi në kushtet e pandemisë COVID-19, dhe se nuk jemi kundër dialogut, por e duam parimor dhe të përgatitur mirë”.

“Nuk mund të jetë prioriteti i parë ose i dytë, sepse janë drejtësia dhe punësimi. Nuk e mohoj rëndësinë e dialogut – për BE-në, Kosovën dhe Serbinë, si dhe rajonin, por më e rëndësishmja është që ky dialog të jetë i përgatitur mirë. Të jetë dialog i sinqertë në të cilin nuk jemi në presionin e kohës, por jemi me përkushtimin për substancë”.

Ai ka thënë se “qytetarët kanë vendosur më 14 shkurt”, derisa ka thënë disa herë se nuk është kundër dialogut parimor.

“Qytetarët e Kosovës kanë vendosur më 14 shkurt. Unë nuk jam kundër dialogut në parim, jam për dialog parimor dhe unë përfaqësoj qytetarët e Republikës të cilët na kanë bërë fitues në mënyrë plebishitare”.

A është folur për një datë se kur mund të rifillojë vazhdimi i dialogut?

“Nuk mund të ketë datë, sepse duhet të formojmë një herë qeverinë. Duhet të përfundojë numërimi, rinumërimi dhe të bëhet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve. Qeveria e re e Kosovës do të ketë edhe Ministrin e Punëve të Jashtme dhe të gjitha aspektet e tjera të ekzekutivit, përfshirë edhe raportet me Brukselin dhe dialogun me Serbinë”.

I pari i Vetëvendosjes tha se diplomati sllovak e ka uruar për fitoren në 14 shkurtit.

“Me këtë rast na e uroi fitoren në zgjedhjet e 14 shkurtit. Biseduam për procesin zgjedhor në Kosovë. Diskutuam edhe për dialogun me Serbinë. I tregova që ne një herë duhet të formojmë qeverinë, që jemi të interesuar të kemi një bashkëpunim pozitë-opozitë në legjislaturën e tetë sa i përket raporteve me Serbinë, për çka ai ishte dakord”.