Kosova

Lajçak: Fillova ditën e dytë në Kosovë me një diskutim shumë të mirë dhe frytdhënës me Albin Kurtin

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ditën e dytë në Kosovë e ka nisur me takime të liderëve të partive politike.

Lajçak ka takuar fillimisht liderin e LVV-së, Albin Kurtin me të cilin tha se pati një diskutim shumë të mirë.

“Fillova ditën e dytë në Kosovë me një diskutim shumë të mirë dhe frytdhënës me udhëheqësin e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Theksova nevojën që Kosova të flasë me një zë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Çfarëdo marrëveshje duhet të jetë e pranueshme për njerëzit e saj”, ka shkruar Lajçak në Twitter.

Pas këtij takimi Lajçak është takuar me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa ndërkaq tash pritet të takohet me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj. /Telegrafi/