KULTURË

“La Scala” pa hapje tradicionale të sezonit

Shtëpia e operës në Milan, “La Scala”, ka vënë në skenë të hënën një përmbledhje televizive triorëshe me arie e balet. Kjo, pasi që pandemia e koronavirusit e ka detyruar të anulojë hapjen tradicionale të sezonit për herë të parë që prej Luftës së Dytë Botërore.

Duke mbajtur maska, anëtarët e korit dhe të orkestrës kanë performuar himnin kombëtar para një auditoriumi të zbrazët, që viteve të kaluara do të mbushej me elitën politike, biznesore e atë të estradës në Itali, për një nga ngjarjet kryesore në kalendarin milanez.

Organizatorët e kanë quajtur këtë show “A riveder le stelle” (“t’i shohësh sërish yjet”) si referencë për frazën e fundme në “Infernon” e Dante Alighierit, që shenjëzon shpresë se pandemia, e cila ka vënë në gjunjë ekonominë e Evropës, së shpejti do të tejkalohet.

“Kjo ishte një përvojë e parëndomtë, por shpresoj të mos e përsërisë më”, ka thënë dirigjenti Riccardo Chailly.

Italia ka mbyllur teatrot dhe sallat koncertale në tetor për të frenuar rishpërthimin e pandemisë dhe kufizimet do të mbesin në vend deri të paktën pas sezonit të festave të Kërshëndellave.

Disa performanca ishin të drejtpërdrejta e të tjera të incizuara më herët. Ato kanë përfshirë edhe yllin e vallëzimit Roberto Bolle, që ka performuar solo një balet të rrethuar vetëm nga rrezet e dritave.

Organizatorët i kanë çuar shikuesit edhe te përgatitjet dhe te vendet në prapaskenat e “La Scala”, teatri 242-vjeçar në zemër të jetës muzikore të Milanit.

Me rajonin e Lombardisë rrotull Milanit, si një ndër vendet më së keqi të prekura në Evropë e që ende shënon mijëra infektime të reja me koronavirus, është ende e paqartë se si “La Scala” do të vërë në skenë sezonin e saj të ri.

Në tetor, një duzinë këngëtarësh e muzikantësh të “La Scala” dolën pozitivë me koronavirus, duke bërë që të gjithë anëtarët e korit të hynin në karantinë krahas anëtarëve të orkestrës. /Reuters/