KULTURË

Ky institucion kulturor kosovar, është në prag të kolapsit financiar, ka mbi një milion euro borxhe

Qendra Kinematografike e Kosovës është në prag të kolapsit financiar. Hallet e këtij institucioni sa i përket buxhetit janë rënduar sidomos në dy vjetët e kaluar.

Një premtim i ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, për dyfishim të buxhetit të QKK-së më 2018 kishte nisur t’ia japë tatëpjetën financiare këtij institucioni. E kur ky premtim është përsëritur më 2019, veç e ka thelluar krizën.

Nëse gjërat nuk ndërrojnë, fundviti QKK-në do ta gjejë në kolaps total të financave. Vetëm në raport me dy vjetët e kaluar ky institucion numëron të paktën mbi një milion euro borxhe. Sipas të dhënave zyrtare të QKK-së, në vitin 2019 janë përkrahur 28 projekte kinematografike në tetë kategori. Krejt bashkë peshojnë 1 milion e 282 mijë euro.

Por dokumenti i politikave kulturore të Ministrisë së Kulturës për këtë vit sqaron se QKK-ja realisht kishte shpenzuar vetëm 620 mijë euro për projekte kinematografike. MKRS-ja nuk kishte mundësi t’u përgjigjej kërkesave të tjera financiare të Qendrës Kinematografike të Kosovës. Institucioni më i lartë kulturor në vend kishte premtuar 1.4 milionë euro buxhet për QKK-në. Por një gjë e tillë nuk është bërë realitet. Viti 2019 ishte vazhdimësi e premtimeve boshe të MKRS-së sa i përket buxhetit për industrinë e filmit. Për vitin 2018, QKK-së i ishin ndarë 766 mijë euro për subvencionimin e projekteve dhe për shpenzimet e tjera të institucionit.

QKK-ja kishte hapur konkursin për subvencionim të projekteve kinematografike në fund të marsit. Kishte planifikuar që për këtë kategori të shpenzonte 666 mijë euro. Në këtë drejtim edhe kishte punuar. Por gjendja kishte ndërruar krejtësisht në gusht të atij viti. Në ditën e 7-të të gushtit do të jepej “lajmi i madh”. Ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, pas një vizite në QKK, kishte thënë se institucionit do t’i dyfishohej buxheti.

“Konfirmojmë edhe një herë mbështetjen tonë të madhe për QKK-në. Siç dihet, kjo qendër ka pasur një buxhet rreth 600 mijë euro për mbështetjen e filmave dhe ne kemi vendosur që këtë buxhet ta rrisim për 100 për qind. QKK-ja do të ketë buxhet për filma rreth 1.2 milionë, kurse buxhetin total rreth 1.4 milionë”, kishte thënë ish-ministri i Kulturës, Kujtim Gashi.

Asokohe gazeta kishte insistuar për të marrë informacione se nga do të vijë ky buxhet. Por ish-ministri nuk kishte dhënë përgjigje konkrete. Këtu do të nisnin edhe problemet. QKK-ja kishte hartuar një listë me projekte fituese duke llogaritur në buxhetin real që i ishte ndarë në fillim të vitit. Por pas vizitës së ish-ministrit, juria i ishte kthyer edhe një herë listës së aplikacioneve. Nga 17 projekte të përzgjedhura ishin bërë 25. Krejt bashkë peshonin 1 milion e 178 mijë euro. E bashkë me projektet pa mbulesë financiare të 2019-s, krijojnë shumën prej 2 milionë e 460 mijë eurosh.

Por në realitet QKK-ja për këta dy vjet kishte 1.2 milionë euro buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike. Janë fiks 1.2 milionë euro më pak sesa marrëdhëniet kontraktuale në të cilat institucioni ka hyrë në dy vjetët e fundit. Drejtori i QKK-së, Arben Zharku, ka thënë se në dy vjetët e fundit obligimet e MKRS-së ndaj QKK-së dhe ato të QKK-së ndaj projekteve filmike janë duke u vonuar.

“Në dy vjetët e fundit buxhetin e kemi pasur nga 1.4 milionë euro të deklaruara nga MKRS-ja, por nuk është arritur ai buxhet pavarësisht kërkesave tona”, ka thënë ai.

Ka marrë shembull se një film zgjat tri e katër vjet për t’u realizuar. Duke pasur parasysh këtë, ai ka thënë se nëse një vit ka buxhet më të vogël ata mund ta menaxhojnë situatën.

“Por dy vjet me radhë gjendja është renduar. Nëse nuk kryhen këto obligime nga MKRS-ja, atëherë në fund të këtij viti ose vitin e ardhshëm do të kemi një kolaps financiar si institucion”, ka thënë Zharku.

Sipas tij, në fund të këtij viti planifikohet të xhirohen disa projekte filmike. Ka paralajmëruar se do të kenë probleme për t’i financuar.

“Ne nuk jemi të sigurt se kemi buxhetin e mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha kërkesat, pasi jemi duke paguar obligime të viteve të kaluara”, ka thënë ai. Ka shtuar se bëhet fjalë për borxhe që shkojnë mbi një milion euro. Ka thënë se janë në diskutime me ministren në detyrë të Kulturës, Vlora Dumoshi, që të dilet nga kjo situatë./Koha.net