SPORT

Ky ekip nuk po mund tё kthehet nё shtёpi pёr shkak tё koronavirusit

Një ekip i Superligës së Kinës në futboll udhëtoi për në Spanjë në fund të janarit. Pjesëtarët e ekipit ende nuk e dinë se kur do të mund të kthehen në shtëpi.

Wuhan Zall është dashur të jetë në shtëpi shumë kohë më parë. Kur skuadra e Superligës kineze nga vendi që është epiqendër e koronavirusit, u vendos në Spanjë në fund të janarit, lajmet për tragjedinë që po godiste qytetin ngjallën frikë e paranojë.

Lojtarët dhe stafi tjetër ishin në Guangzhou në kohën kur u morën masat e para për të luftuar përhapjen e koronavirusit të paraqitur së pari në Wuhan. Kur ekipi kinez u paraqit në aeroportin e Malagas, mjekët spanjollë po prisnin për t’i kontrolluar ata. Vetëm pasi mjekët e skuadrës bindën autoritetet spanjolle se secili lojtar është testuar në mënyrë rigoroze, një njoftim publik u lëshua për të bindur banorët lokalë që lojtarët e Wuhanit nuk paraqesin rrezik. Njoftimin e kishin lëshuar autoritetet mjekësore të Andaluzisë, ka njoftuar “indipendent.co.uk”.

Në Wuhan gjendja vazhdon të jetë e rëndë për shkak të koronavirusit. Dhe në një situatë si kjo, futbolli e humb rëndësinë. Çdo mëngjes dhe çdo mbrëmje shumica e 50 anëtarëve të delegacionit të ekipit kinez, kontakton me të afërmit në Wuhan.

Katërmbëdhjetë lojtarë të skuadrës janë nga Wuhani dhe disa prej tyre kanë fëmijë të vegjël në qytetin e goditur nga koronavirusi. Gjyshja e njërit prej lojtarëve ka humbur jetën për shkak të virusit.

“Lojtarët kanë qenë larg shtëpisë për më shumë se dy muaj. Nuk kanë mundur të festojnë me familjet e tyre një festë të rëndësishme. Ata flasin me familjarë përmes telefonit dhe e dinë që njerëzit atje janë të bllokuar në shtëpitë e tyre dhe nuk mund të jetojnë jetë normale”, ka thënë njëri prej përgjegjësve të ekipit.

Të dielën e kaluar skuadra u shfaq e buzëqeshur. Lojtarët u ftuan për të përcjellur El Clasicon. Lojtarët e vlerësojnë Wuhanin qytet heroik dhe shprehin besim për një fitore përfundimtare mbi virusin që ka prekur thuajse 100 mijë njerëz në Kinë.

“Nuk ka qenë e lehtë për asnjërin prej lojtarëve”, ka thënë Yao Hanlin, kapiten i ekipit. “Na mungojnë shokët e sidomos familjet. Familjarët tanë po kalojnë kohë shumë të vështirë”.

Skuadra i përmbahet planit të stërvitjeve, ndërsa lojtarët mundohen të flasin sa më pak për virusin. Por kjo është thuajse e pamundur.

Disa shpresojnë që kthimi në Wuhan do të jetë i mundur në mes të prillit, por kjo nuk është e sigurt.

“Unë nuk po ndjehem i rrezikuar. Thjeshtë shpresoj që çdo gjë do të bëhet më mirë që të mund të kthehemi në shtëpi. Jemi të brengosur, por po besojmë se çdo gjë është nën kontroll”, ka thënë një pjesëtar i stafit.

Ndeshjet e futbollit në Kinë janë shtyrë për më vonë. Vetëm një skuadër e Superligës, nga 16 gjithsej, nuk është larguar nga vendi. Skuadra e Wuhanit ka ndjerë simpatinë e një pjese të njerëzve, por edhe anën tjetër të rrëfimit. Një skuadër ruse dhe një nga Gjibraltari anuluan miqësoret me Wuhanin. Pyetje të papërshtatshme vazhdojnë të bëhen për lojtarët dhe drejtuesit.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.