SPORT

Ky ёshtё ylli i ri i futbollit qё po krahasohet me Ibrahimoviqin

Alexander Isak i bëri vetes një dhuratë të madhe në ditëlindjen e tij të 17-të.

Po luhej derbi i madh i Stockholmit mes Djugardenit dhe AIK-ut më 21 shtator të vitit 2016, dhe Isak u përkujdes që kjo mbrëmje të mbahej në mend.

Në pjesën e parë, tinejxheri i AIK-ut vrapoi në hapësirë dhe në mënyrë të përkryer kontrolloi një top. Një prekje për të kontrolluar dhe prekja e radhës ishte gjuajtje e ulët që përfundoi në portë. Me duart e hapura, ai qëndroi duke festuar në prani të tifozëve vendas armiqësor.

Alexander Isak, ylli në rritje që po krahasohet me Ibrahimoviqin, por është ndryshe nga ai

Në pjesën e dytë, ai realizoi me një gjuajtje me kokë, duke dyfishuar epërsinë dhe duke ngritur në këmbë tifozët e klubit të tij. Atë natë AIK-u festoi një fitore 3:0 ndaj rivalit lokal, me të cilën fitore mbajti të gjallë shpresën për titull të kampionit.

Chinedu Obasi, nigeriani që shënoi golin e tretë në atë ndeshje, tha: “Isak ka shumë potencial. Nëse çdo gjë shkon mirë, ai mund të bëhet Zlatan Ibrahimoviqi i ri i Suedisë”.

Ai krahasim ka mbetur. Kështu e përshkruan mediumet spanjolle Isakun pak muaj më vonë në janar të vitit 2017, kur ai ishte pranë t’i bashkohej Real Madridit. Ato raportime dolën si jo të vërteta dhe Isak u përcaktua për një transferim te Borussia Dortmundi.

Por, këtë stinor ai më në fund ka arritur në La Liga me Real Sociedadin dhe ato krahasime me Ibrahimoviqin po vazhdojnë si kurrë më parë, shkruan BBC të enjten, transmeton Koha.net.

Isak po lë gjurmë të mëdha. Një nga përformancat e tij më spektakolare këtë stinor ishte pikërisht kundër Real Madridit në fillim të shkurtit, kur ndihmoi Sociedadin drejt fitores 4:2 në Kupën e Spanjës. Isak shënoi dy gola dhe asistoi dy tjerë.

Vetëm tre ditë më vonë, ai u aktivizua në pjesën e dytë dhe shënoi një gol e asistoi një tjetër në fitoren 2:1 në derbin bask ndaj Athletic Bilbaos. Ishte ndeshja e gjashtë rresht në të cilën po shënonte Isak.

Përformancat e tilla lënë të kuptohet se Isak do të jetë yll i madh në vitet në vijim.

Shquhet për modesti

Ai është i gjatë, vrasës para portës kundërshtare dhe i bekuar me teknikë të shkëlqyer. Në një mënyrë, shkathtësitë e tij janë të krahasueshme me ato të yllit Ibrahimoviq. Por, sa i përket personalitetit dhe stilit të lojës, krahasimi është plotësisht i gabuar. Në fakt, nuk mund të jenë më të ndryshëm.

“Ne kishim një lidhje të veçantë, pasi të dy jemi me origjinë nga Eritrea”, thotë Nahom Ghidey, që ushtroi Isakun te AIK-u për tre vjet, nga mosha 10-vjeçare deri në atë 13-vjeçare. “Prindërit e Alexanderit erdhën në Stockholm në vitet 1980-ta, për shkak të luftës së gjatë civile në Eritre. Alexander u rrit si suedez, por gjithmonë ishte i afërt me kulturën eritreane. Eritreanët janë njerëz krenar, të fortë dhe patriotik. Babai i tij, Teame, është mësues dhe Alexander gjithmonë pati shumë dashuri e përkrahje nga familja e tij. Unë jam i sigurt se kombinimi unik i kulturave suedeze dhe eritreane ka prodhuar një futbollist të veçantë”.

Fëmijëria e tij stabile, ishte krejt ndryshe nga ajo e Ibrahimoviqit, që ishte rritur në lagjen e vështirë Rosengard në Malmo dhe prindërit e të cilit ishin divorcuar para ditëlindjes së tij të dytë.

Nëse Ibrahimoviq është i zhurmshëm për media dhe bie në sy të publikut, Isak është i qetë, modest dhe me këmbë në tokë. Ai flet me qetësi dhe mundohet të evitojë mediumet. Ai është më i interesuar të luajë me top në mënyrë më efikase të mundshme.

“Ajo që e ka shquar Alexanderin ishte pjekuria e tij”, ka thënë Nils-Eric Johansson, kapiteni legjendar i AIK-ut, që luajti përkrah Isakut në stinorin shpërthyes të talentit në vitin 2016. “Ka shumë lojtarë të rinj të talentuar, por atyre zakonisht i duhet kohë para se të mësojnë të lidhen me të tjerët dhe të luajnë për skuadër. Isaku ishte vetëm 16-vjeçar, por luante si 26-vjeçar. Kjo ishte absolutisht e jashtëzakonshme. Zlatani preferon të dhurojë spektakël, por Isaku jo. Ai është saktësisht i njëjtë si në fushë ashtu edhe jashtë saj. Ndoshta po të ishte pak më arrogant do të ndihmonte atë më tepër”.

Gazetari i Aftonbladetit, Kristoffer Bergstrom shton: “Qasja e Isakut dhe stili i tij u shquan. Ai nuk ishte jashtëzakonisht i shpejt dhe gjuajtjet e tij nuk ishin shumë të fuqishme, por ai lexon lojën më mirë se kushdo tjetër. Ai kurrë nuk driblonte vetëm për të dhuruar spektakël. Çdo gjë që bën është për një arsye. Loja e tij është shumë efikase”.

Ishte e pamundur të injorohej talenti i Isakut dhe ai po pritej të largohej vetëm 11 muaj pas debutimit me skuadrën e parë të AIK-ut. Ndoshta është e lehtë të kuptohet pse ai nuk iu bashkua Real Madridit, por u përcaktua për Borussia Dortmundin.

Periudha jo e mirë e Martin Odegaardit te Reali mund të ketë ndihmuar Isakun në këtë zgjedhje. Mesfushori norvegjez Odegaard iu bashkua Realit si 16-vjeçar në vitin 2015, por nuk arriti të gjente veten dhe u cilësua jo drejtësisht si dështim. Sot, Isak është bashkëlojtar me Odegaardin te Real Sociedadi. Odegaard te Sociedadi është i huazuar nga Real Madridi.

“Unë kisha disa oferta, por mendova se Dortmundi është vendi i duhur për mua që të zhvillohem. Dua të bëjë hapin e radhës, të luajë dhe të ndihmojë skuadrën”, tha Isak në intervistën e tij të parë në Gjermani.

Periudha e vështirë te Dortmundi


Mirëpo, ajo që në shikim të parë dukej si vendim shumë i mençur, së shpejti u dëshmua ndryshe. Ai kaloi dy vite te Dortmundi, gjatë të cilave kaloi nëpër katër trajnerë. Asnjëri nga ta nuk i besoi suedezit të ri.

Thomas Tuchel, Peter Bosz, Peter Stoger dhe Lucien Favre preferuan opsionet tjera dhe i riu luajti vetëm në pesë ndeshje në Bundesligë, katër prej tyre si rezervist. Më pas, gjatë pjesës së dytë të vitit 2018, Isak u dërgua te skuadra rezervë e Dortmundit, në Kategorinë e Katërt të Gjermanisë.

“Është një lloj misteri që kurrë nuk është shpjeguar”, vlerëson gazetari i SPOX-it, Jochen Tittmar. “Asnjëri nuk e di pse Isak nuk pati rastin në klub, duke e ditur se Dortmundi është një klub i njohur për promovim të lojtarëve të rinj. Tuchel, që ishte në drejtim të klubit kur Isak u transferua, pranoi se nuk ishte i përfshirë dhe nuk e njihte lojtarin mirë, kështu që ishte e çuditshme nga fillimi. Është vështirë të bien në mend lojtarë tjerë që nuk kanë gjetur hapësirën te Dortmundi dhe kanë lulëzuar diku tjetër”.

Imagjinoni Ibrahimoviqi të ishte në situatë të tillë. Sigurisht se do të kishte bujë të madhe në media, me deklaratat e tij.

Isaki ishte i qetë. Edhe tash nuk flet asnjë fjalë të keqe për Dortmundin.

“Unë nuk luajta shumë, por u bëra lojtar më i mirë”, ka thënë Isak në një intervistë për “Mundo Deportivon”.

Amos Pieper ka folur për mënyrën se si Isak është përballur me këtë situatë. Qendërmbrojtësi i ri kishte luajtur përkrah suedezit te skuadra rezervë e Dortmundit dhe tash është duke shkëlqyer me Arminia Bielefeldin në Bundesliga 2.

“Të gjithë e panë që Alexander është lojtar fantastik. Ai është i mirë me dy këmbët, ka teknikë të jashtëzakonshme, është i fuqishëm dhe i shpejt. Prisnim që të kishte rastin në skuadrën e parë. Por, ai për fat të keq lëshoi raste shënimi në ndeshjen e vetme në Bundesligë në të cilën startoi. Stinori 2017-18 nuk ishte i lehtë për Dortmundin dhe është më e vështirë për lojtarët e rinj kur gjërat nuk ecin mirë në klub. Ai nuk ishte i lumtur me situatën, por kurrë nuk foli për të. Ai thjeshtë punoi fortë dhe zakonisht qëndronte për të punuar edhe më tepër pas përfundimit të seancave stërvitore. Ai ishte shumë i përqëndruar dhe serioz”, tregon Pieper.

Durimi u shpagua kur Isak u huazua te Willem II në fillim të vitit 2019. Ai menjëherë la gjurmë, duke realizuar 13 gola në 16 ndeshje në elitën e Holandës dhe ndihmoi klubin modest të arrinte në finale të Kupës së Holandës, ku u mposht nga Ajaxi.

“Ishte stinor historik për Willem II dhe Isak ishte kryesori i atij stinori”, thotë Dolf van Aert, një gazetar holandez te “Voetbal International” i cili e intervistoi Isakun. “Ai nuk ishte arrogant. Më tha se krahasimi me Zlatanin nuk i intereson”.

Jordan Peters, kapiteni afatgjatë i Willem II, e përshkroi Isakun si një lojtar me besim të madh, por në aspekt pozitiv.

“Klubi vetëm sa kishte shitur sulmuesin yll Fran Sol te Dynamo Kievi dhe lojtari i ardhur në formë huazimi duhej të mbulonte këtë hapësirë të krijuar. Menjëherë u bë e qartë se do të na ndihmojë shumë. Ai mund të përshtatet në çdo sistem. Është i mirë kur luan futboll me posedim, apo edhe me kundërsulme. Mund të realizojë me dy këmbët, shumica e gjuajtjeve të tij janë në portë dhe ai qartë se posedon instinkt vrasës. Është i relaksuar gjatë ndeshjes dhe duket se nuk po ndjen fare presion. Ai është djalë i qetë, por pas një kohe u bë pjesë e grupit. Ai bënte shaka si gjithë tjerët”, rrëfen Peters.Por, edhe stinori i kaluar i shkëlqyer në Holandë, nuk ndryshoi mendjen e krerëve të Dortmundit. Klubi gjerman nuk planifikoi me Isakun dhe e shiti verën e vitit të kaluar te Real Sociedadi për 7.5 milionë

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.