Show Biz

Kuzhineri kosovar përmendet nga Ellen DeGeneres

Secili popull ka traditën e vet në ushqim, njëjtë si edhe veçantinë në mënyrën e përgatitjes së tyre.

Gazetare: Albulena Dermaku

Gatimi konsiderohet art, për të cilin kërkimet dhe eksperimentet janë të përditshme.

E kombinimi i traditave të ndryshme në ushqim, është ajo që e veçon kuzhinierin Afrim Avdyli.

Për të, kuzhina është vet jeta, ajo që bashkon familjarët e miqtë, thjesht është dhoma ku krijohet magjia.

20 vitet e përvojës së Avdylit në kuzhinë, kanë filluar në një moshë të re dhe me shumë vështirësi.

Avdyli gjatë fillimeve të tij, sigurisht që është përballur me shumë sfida, por ai tanimë njihet si artist në kuzhinë dhe një detajist i shkëlqyer i gatimit.

Ndonëse, e pëlqen shumë kuzhinën tradicionale, ajo nuk mbetet e preferuara e tij.

Sipas tij, edhe pse jo fizikisht, ushqimi të bën të udhëtosh në çdo vend të botës.

Kështu, ai nuk do ta ndërronte asnjëherë profesionin e tij prej kuzhinieri.

Arti i tij i gatimit ka udhëtuar nëpër vende të ndryshme të botës dhe ka tërhequr vëmendje po ashtu.

Një dele e realizuar me lulelakër ishte inspirim për faqen zyrtare të “The Ellen show” që të krijojnë një barcoletë shumë të lezetshme.

“Si ta bëjmë konfuz një vegan” ishte mbishkrimi i fotografisë së publikuar në rrjetin social instagram i cili ndiqet nga mbi 3 milion njerëz.