Kosova

Kuvendi s’diskuton për komisionin hetimor rreth deportimit të shtetasve turq

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar propozimin e komisionit për Arsim lidhur me futjen në rend të ditës ratifikiminim e anëtarëve të Agjencionit të Akreditimit.

Deputetët u pajtuan që kjo pikë të diskutohet menjëherë pas miratimit të procesverbalit.

Edhe pse, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, para se Kuvendi të shkonte në pauzë, kërkoi nga deputetët që të përkrahin propozimin që edhe themelimi i komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq të futet në rend të ditës, çështje e kryesimit të këtij komsioni ngriti debat në Kuvend lidhur me atë se kush duhet të udhëheq këtë komison, inicuesi i komisionit apo përkrahësit.

Memli Krasniqi, nga PDK, ka theksuar se kjo duhet të shqyrtohet në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit sepse nëse futet në rendin e ditës në seancën e sotme, sipas tij, kjo do të ishte shkelje e marrëveshjes së grupeve parlamentare.“

Kurse, Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur përkrahën propozimin e deputetit Avdullah Hoti, për shkak se pasi ka shumë pika për tu shqyrtuar do të duhen disa ditë për të përfunduar punimet e seancës së sotme, andaj u tha se do të ishte më mirë që të futej më herët.

Megjithatë, shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Ahmet Isufi, ka theksuar se kjo çështje nuk është e ngutshme dhe se duhet të veprohet sipas rregullores.

Edhe Bilall Sherifi nga NISMA ka qenë i pajtimit që kjo çështje të futet në rendin e ditës.

Por, kryetarja e komisionit parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, ka theksuar se jemi të ngarkuar për të informuar për themelimin e komisionit hetimor për deportimin e shtetasve turq, dhe për shkak se sot ka shumë pika, nesër komisioni për legjislacion mund të mblidhet urgjentisht për të trajtuar këtë çështje.

Pas mbledhjes së komisionit për Legjislacion, kryetarja e këtij komisioni, Albulena Haxhiu, prezantoi vendimin e komisionit që ajo udhëheq para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Vlerësojmë se iniciuesi i debatit parlamentar është LDK, dje mbi këtë bazë është formuar komisioni hetimor, kryesimi i të cilit nuk mund të bëhet nga LDK-ja, sepse është ai që e ka iniciuar kërkesën për debat. Këtë kryesim nuk mund ta bëjë grupi parlamentar inicue, por mund ta bëj ose LVV ose GDP”, ka theklsuar ajo.

Megjithatë, lidhur me këtë vendim nuk është pajtuar Hajdar Beqa i PDK-së, i cili njëherësh është edhe anëtar i komisionit.

Edhe pas përsëritjes për herë të tretë të votimit për futjen në rend të ditës propozimin e GP të LDK-së, për formimin e komisionit hetimor lidhur me deportimin e shtetasve turq, ky propozim nuk mori mbështetjen e kuorumit, ku  në sallë ishin vetëm 65 deputetë dhe në votim morën pjesë vetëm 59 deputetë. /Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483