Kosova

Kuvendi miratoi Rezolutën që e fajëson Serbinë për gjenocid

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Rezolutën për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”.

Për hartimin e kësaj rezolute kanë punuar përfaqësuesit e të gjitha partive politike përveç grupit të Listës Serbe dhe rrjedhimisht partitë politike kanë shprehur gatishmërinë e tyre për mbështetje njëzëri të rezolutës.

Rezoluta u miratua me 79 vota për.

Para se të hidhej në votim, drafti i Rezolutës është diskutuar dhe në fund është harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare.

Në rezolutë, pos tjerash, përmendet të gjitha vendet ku janë kryer masakrat, vrasjet, dhunimet seksuale si dhe dëbimi i më shumë se 1 milion shqiptarëve nga Kosova. Aty kërkohet që kryerësit e krimit të njerëzimit, krimit të luftës dhe gjenocidit e dhunës, të dalin para drejtësisë.

Po ashtu, aty përmenden edhe dëmet materiale, shkatërrimi i objekteve të ndryshme fetare e kulturore.

Debati në Kuvend gjatë ditës

Debati në lidhje me draft-rezolutën ka filluar gjatë orëve të pasditës.

Bilall Sherifi nga partia Nisma Socialdemokrate, në emër te grupeve parlamentare, i cili prezantoi një pjesë të propozim-rezolutës për “gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës të ish-regjimit shtetëror serb në Kosovë”, tha se për 20 vjet, në vend që Serbia të dënohet për krimet, ajo po synon t’i amnistojë kriminelët.

Prandaj,siç tha deputeti Sherifi, përmes kësaj rezolute, do të mundohen dhe do të kërkohet që kriminelët të dalin para drejtësisë.

“Rezoluta do t’i obligojë institucionet e Kosovës që të kërkojnë drejtësi, Parlamentin, Presidencën, Qeverinë e institucionet e drejtësisë. Kriminelët që janë gjallë, do të përpiqemi t’i vëmë para drejtësisë dhe shteti i Serbisë do të jetë aty dhe do të vihet para drejtësisë. Ai shtet do të mbajë përgjegjësi për gjenocidin në Kosovë, ne do të jemi këtu dhe nuk do të heqim dorë nga kërkimi i drejtësisë”, tha Sherifi.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku, tha se Serbia ka pasur për synim zhdukjen e popullit të Kosovës dhe spastrimin etnik. Sipas tij, shteti serb po vazhdon të fsheh gjurmët e krimeve të kryera dhe do të tentojë “të shlyejë kujtesën” e shqiptarëve.

“Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare, që flasin për të drejtat e njeriut, kërkojmë që shteti serb të pranojë krimet dhe gjenocidin në Kosovë”, tha Lushtaku.

Ndërkaq, deputeti partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, tha se partia e tij e mbështet në mënyrë unanime rezolutën për gjenocidin e Serbisë në Kosovë.

“Ajo çka na ka bashkuar këtu është për të kryer një obligim të cilin institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që 20 vjet ta sjellë një rezolutë të tillë”, tha Zemaj.

Ai shtoi se një ndër objektivat e Serbisë është edhe shpërbërja e institucioneve politike e sociale.

“Sado pak të jetë një thirrje për të gjithë që keqpërdorin, minimizojnë krimet e kryera në vitet e 90-ta dhe duhet sa më pak fjalë, e sa më shumë vepra, dënimin e te gjithëve atyre që kanë kryer këto krime”, tha Zemaj.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje, tha se rezoluta u referohet të gjitha dokumenteve evropiane e më gjerë, që kanë të bëjnë më krimet kundër njerëzimit, gjenocidit, e të tjera.

“Nuk ka asgjë perfekte, por teksti i rezolutës ka marr të gjithë shembujt e dokumenteve ndërkombëtare”, tha deputeti Kurteshi.

Gjatë zhvillimit të debatit për propozim- rezolutën, deputetët e partive politike në opozitë dhe atyre në pushtet, kanë zhvilluar një debat me akuza dhe kundër-akuza për atë se nuk janë mbledhur shifra zyrtare e të sakta për vrasjet, masakrat dhe krimet e ndryshme që janë bërë nga forcat serbe në vitet 1998-99.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në fjalën e tij tha se në gjithë Kosovën në secilën lagje në çdo fshat e qytet ka fakte, e dokumente, e dëshmitarë për krimet që ka bërë Serbia në Kosovë.

Ai tha se të gjithë qytetarët e Kosovës presin drejtësi.

“Ende nuk ka kërkim-falje dhe ato gjykime që janë bërë në Serbi janë bërë për t’i fshehur faktet”, theksoi Veseli.

Veseli tha se qytetarët me të drejtë pyesin se a do të ketë drejtësi për ta. Ai theksoi se për shumë vite Kosova dhe qytetarët, i kanë besuar drejtësisë ndërkombëtare, por, siç tha ai, ‘sot ndihemi të zhgënjyer nga puna e saj’.

“Njeri pas tjetrit kanë dështuar në gjykimin e krimit, UNMIK-u edhe EULEX-i e bashkë me to edhe institucionet e Kosovës”, tha Veseli në foltoren e Kuvendit. ​

Kuvendi në agjendë ka edhe formimin e Komisionit shtetëror për krijimin e Tribunalit për, siç thuhet, gjenocidin serb në Kosovë, pastaj marrjen e vendimit për ndërtimin e Muzeut të Gjenocidit, vendim për ndërtimin e Memorialit të dëbimit, te Stacioni hekurudhor i Prishtinës dhe caktimin e Ditës së Gjenocidit./

Sipas Veselit, lidhur me krimet e Serbisë në Kosovë, do të punojë drejtësia vendore, por edhe ajo ndërkombëtare, duke theksuar synimin për themelimin e një tribunali ndërkombëtar për krimet e Serbisë në Kosovë.

“Tribunali ndërkombëtar do të marrë kohë. Nuk do të ndodhë ditën e enjte, Mund të marrë kohë shumë. Për vet faktin që Komisioni shtetëror, pasi që të krijohet, i ka një varg masash dhe hapash, të cilat duhet t’i kryejë. Pastaj, duhet të shkojmë në fund të asaj e që do të jenë aktakuzat. Aktakuzat do të ngrihen nga vet Prokuroria dhe gjyqësia jonë”, theksoi Veseli.

Po ashtu, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i ka dhënë mbështetje nismës së Kuvendit të Kosovës, duke thënë se thënë se “është mirë që më në fund, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka vendosur që në mënyrë të bashkuar të lëvizet përpara me nxjerrjen e një rezolute dhe dokumenteve tjera pasuese, ku dënohet qartë gjenocidi i Serbisë i kryer në Kosovë dhe kërkohet drejtësi nga të gjitha instancat ndërkombëtare”.

Kuvendi i Kosovës, në mesin e muajit prill, ka formuar një komision të veçantë ‘ad hoc’ për dënimin e, siç është thënë, krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit të Serbisë, i cili ka punuar për hartimin e rezolutës në lidhje me këtë çështje.

Qëllimi përfundimtar, siç kanë thënë më parë zyrtarët e Kuvendit të Kosovës, është hapja e Tribunalit ndërkombëtar për krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë.

Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë rreth 13,500 persona. Të pagjetur ende konsiderohen mbi 1,600 persona.