Kosova

Kushtetuesen nuk duhet ta konsiderojmë instancë mbretërore, sipas Konjufcës

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur rreth vendimit që po pritet nga Gjykata Kushtetuese për mandatarin për kryeministër. “Nuk duhet ta konsiderojmë Kushtetuesen instancë mbretërore’’, ka thënë Konjufca.

Presidenti Hashim Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

“Në sistemin tonë parlamentar p.sh të thuhet se Gjykata Kushtetuese mund ta shkruajë Kushtetutën është gabim. Gjykata Kushtetuese mund t’ia kufizojë kohën Vetëvendosjes dhe unë nuk e përjashtoj edhe atë vendim. Ne jemi qenie njerëzore dhe veprojmë në një sistem politik demokratik ku presupozohet që njeriu mund ta shkelë ligjin – ky është mësim elementar në teorinë politike”, ka deklaruar Konjufca.

“A ka mundësi teorike dhe logjike një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese ta shkelë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese? A duhet të pranohet ai vendim? Ky është gabimi kur njeriu e konsideron instancë absolute. Unë nuk po e kuptoj qysh munde t’i kontribuosh shtetndërtimit dhe demokracisë duke e respektuar një vendim që e shkatërron demokracinë – është paradoksale dhe kontradiktore”, ka shtuar Konjufca.

‘’Unë jam i bindur që pas vendimit të Kushtetueses, Komisioni i Venedikut do ta marrë një vendim mjaft të rëndësishëm”, është shprehur ai.

“Jam i bindur se edhe një vendim nga andej do të jetë në drejtimin e argumenteve të cilat po mundohemi ta shpjegojmë’’, ka thënë Konjufca.