Kosova

Kushtet higjienike shkak i mbylljes për pacientë edhe i hapësirave të Reumatologjisë

Edhe tri hapësira të tjera të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nuk i plotësojnë kriteret minimale për të pranuar pacientë.

Burime të gazetës në Inspektoratin Sanitar kanë shpjeguar se të enjten ky institucion i ka rekomanduar Drejtorisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës të bëjë mbylljen e tri dhomave në Klinikën e Reumatologjisë për shkak të kushteve të këqija higjienike. Ky rekomandim vjen disa javë pasi Inspektorati Sanitar pati mbyllur tri salla në Klinikën e Ortopedisë, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në QKUK kanë thënë se janë në gjendje që rekomandimin e Inspektoratit ta zgjidhin brenda një dite, duke evituar problemin që ata e kanë identifikuar. Të dy hapësirat, edhe ajo e Ortopedisë e edhe e Reumatologjisë, janë të saporinovuara.

Siç ka mësuar gazeta, dhomat janë në hapësirën e re që QKUK-ja ka investuar për këtë klinikë. Në SHSKUK e kanë pranuar se një rekomandim i tillë ka ardhur. Gazeta të dielën e ka kontaktuar drejtorin e Shërbimit Spitalor Klinik të Kosovës, Basri Sejdiu.