Bota

Kush tentoi sulme kibernetike ndaj kompanive që prodhojnë vaksinën anti-covid?

Hakerë nga Rusia dhe Koreja e Veriut kanë tentuar të kryejnë sulme kibernetike ndaj kompanive që po punojnë për të prodhuar vaksinën anti-covid.

Lajmi është konfirmuar nga Microsoft, që ka deklaruar se një grup rus dhe dy grupe të Koresë së Veriut kanë qenë të përfshirë në sulmet e fundit kibernetike.

Hakerat synonin të merrnin të dhënat për kërkimet e vaksinës. Sipas Microsoft, u zbuluan përpjekje për të hyrë në sistemet kompjuterike të ndërmarrjeve farmaceutike.

Studiuesit e vaksinave anti-covid në Kanada, Francë, Indi, Korenë e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin në shënjestër të këtyre sulmeve. Një nga grupet e hakerave të Koresë së Veriut kishte dërguar email duke pretenduar se ishin zyrtarë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe kishte kërkuar që të dorëzonin letrat kredenciale. Disa përpjekje dështuan, tha Microsoft, ndërsa disa të tjera rezultuan të suksesshme.