Rajoni

Kush po tenton ta ndezë Maqedoninë?

Përkundër pritjeve, përfundimi i kontestit midis Athinës  dhe Shkupit me marrëveshjen e arritur për emrin e ri kushtetues të Maqedonisë, protestat në këtë vend nuk po japi sinjal të mirë të kthimit të stabilitetit të pritur. Nga këndvështrimi i bashkësisë ndërkombëtare marrëveshja e arritur është një gjë e madhe për të dyja vendet, por një pjesë e qytetarëve maqedonas për shkak të disa pikave në marrëveshjen e nënshkruar, për një fund të mirë pas 27 vite të dramës së gjatë politike, e shohin me një skepticizëm.

Mbetet një pikëpyetje nëse me këto zhvillime të brendshme Maqedonia do të arrijë të merr ftesat për NATO dhe BE. Deri në samitin e NATO-së i cili do të zhvillohet më 11 dhe 12 korrik kanë mbetur më pak se një muaj. Parlamentet e të dyja vendeve pritet të ratifikojnë marrëveshjen e arritur.

Deputetët në parlamentin e Maqedonisë më shumicë votash kanë miratuar ligjin për marrëveshjen midis Athinë dhe Shkupit, me procedurë të shkurtë të cilën e arsyetoi shefi i diplomacisë Nikola Dimitrov tha se ratifikimi në parlament duhet të shpejtohet për shkak të Këshillit Evropian, mbledhja e së cilës është caktuar për fund të muajit, kur pritet që Maqedonia të merr datën për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Por opozita  VMRIO-DPMNE ka braktisur mbledhjen.

Protestat e qindra qytetarëve para parlamentit maqedon vazhdojnë kundër kësaj marrëveshjeje. Protestuesit brohorisin për presidentin e këtij vendi George Ivanov i cili ka thënë se nuk do të nënshkruajë marrëveshjen.

Kjo mund të duket qesharake, por domethënë shumë. E para ka të bëjë me hapjen e negociatave për anëtarësim në BE dhe në NATO që me gjasë do të shtyhet pikërisht për shkak të mos nënshkrimit të kësaj marrëveshje nga ana e presidentit Ivanov.

Pikërisht kjo ka qenë arsyeja pse kryeministri bullgar ka refuzuar të takohet me Iavnovin gjatë vizitës së këtij të fundit në Bullgari.

Nëse marrëveshja e ratifikuar në parlament nuk nënshkruhet nga presidenti Ivanov atëherë pritet që gjatë vjeshtës, diku në shtator kjo marrëveshje ti nënshtrohet referendumit.  Nëse Greqia nuk vendos veto atëherë është i mundur që Maqedonia në samitin e radhës në korrik të merr ftesën për anëtarësim. Pra përsëri varet nga ajo nëse kryeministri grek Tsipras është i gatshëm që para referendumit në Maqedoni të jap dritë jeshile që Maqedonisë ti adresohet ftesa për anëtarësim.

Në këto zhvillime, diplomatë perëndimor kanë tërhequr vërejtjen se mund të ketë ndikime nga jashtë.  Disa qarqe të jashtme e shohin me sy kritik marrëveshjen e arritur pasi nuk është në harmoni me planet e tyre. Edhe pse rrjeti diplomatik serb vitin e kaluar ishte përfshirë në një skandal në Maqedoni, Beogradi zyrtar sipas gazetës Blic,  pritet të emërojë Rade Bullatoviqin, ish shef i BIA-së i cili është në postin e ambasadori në Ukrainë nga viti 2013, në ulësen e ambasadorit në Shkup, në vend të Dushanka Divjak Tomiç. Kjo tregon mjaft për zhvillimet që mund të pasojnë atje. Ivan Stojiljkoviç, kryetar i Partia Demokratike e serbëve në Maqedoni, për të përditshmen Alo, ditë më parë, theksoi se  situata mund të eskalojë duke e ndërlidhur këtë me platformën e Tiranës. “Këto protesta mund të shkojnë larg. Maqedonia ka pozicionin më të vështirë pasi duhet të bëjë të gjitha edhe në lidhje me Platformën e  Tiranës edhe me marrëveshjen me Greqinë, dhe sigurisht do të tërhiqet përmes baltës në disa vite të ardhshme. Shqiptarët janë korrektues politik që zbatojnë dhe ndikojnë në realizimin e të gjithave”, tha ai.

Ndërsa Moska zyrtare publikisht e konsideron anëtarësimin e Maqedonisë në NATO si një veprim jo të mirë në raport me interesat e saj. Madje nga të dhënat e tyre parashohin eskalim të situatës në këtë vend, pikërisht për shkak të anëtarësimit në NATO përderisa qytetarët protestojnë për shkak të emrit.

Analisti rusë Mihail Hodarjonok për agjencinë ruse “Sputnik” konsideron nëse një vend është interesant në aspektin gjeostrategjik atëherë bëhen lëshimet politike për pranimin e saj në NATO.

Ai mendon se pranimi i anëtarëve të rinj nuk do ta forcojë aleancën Veriatlantike sepse shumë prej tyre sikurse vendet baltike e sidomos vendet e Ballkanit për aleancën nuk janë ndonjë faktor sepse nuk kanë fuqi ushtarake. “me fjalë të tjera këto vende me mundësit e tyre ushtarake, njerëz, pajisje,shikuar në aspektin real janë të vogla. Në kushtet e një lufte reale , këto armata miniaturë do të digjeshin në ditët e para të luftës. Andaj nga kënd vështrimi ushtarak , nga perspektiva e planifikimit , përgatitjes luftarake, veprimeve nuk ka pasur nevojë që këto shtete të pranohen”, ka thënë ai.

Media ruse Vzglyad konsideron se , deri te referendumi kjo çështjet duket se nuk do të arrijë  dhe të gjitha planet për hyrjen e përshpejtuar të Maqedonisë në NATO në skenarin malazez shndërrohet në një kungull. Gazeta shkruan se me ardhjen në pushtet të social demokratëve të Zoran Zajevit orientimi i Shkupit ka ndryshuar dhe kanë ndjekur një politik properëndimore.

Lufta speciale kundër anëtarësimit të Maqedonisë në BE dhe NATO

Ambasadori amerikan në Athinë Jeffrey Payette, në një intervistë për telekanlain Skai TV tha se nëse asnjë zgjidhje nuk gjendet për emrin e Maqedonisë, kjo do të ketë pasoja gjeopolitike.

“Ne kemi parë ndikimin e keq të Rusisë në formë të ashpër në tetor 2016, ku kishte përpjekje për grusht shtet në Mali i ZI ku ishin të gjitha gjurmët e Rusisë. Pikërisht për këtë rrezik shpjegohet edhe nxitimi i ndryshimit të emrit”.

Zëri i Amerikës më 8 qershor në gjuhën maqedone paralajmëroi se Maqedonia gjithnjë e më shumë është një destinacion për strategët politikë të Kremlinit, ideologët e përsosmërisë ruse dhe misionin ortodoks të Moskës në botën sllave dhe në Euroazinë. Ashtu si në Ukrainë, strategët e luftës informative ruse  identifikojnë pikat ekzistuese të dobëta në vendin e synuar dhe i përfaqësojnë ato në një mënyrë që të promovojnë interesat e Moskës.

Në Maqedoni, strategët e Kremlinit theksojnë në botimet e tyre çështjet ekzistuese etnike dhe politike që përfshijnë minoritetin shqiptar, si dhe çështjet që shoqërojnë aspiratat euroatlantike të Maqedonisë. Sipas shërbimit maqedonas Zëri i Amerikës, strategu kryesor në luftën e informacionit rus në Maqedoni është Leonid Savin, i cili në fund të majit ka trajnuar 50 anëtarë të partisë së krahut të djathtë “Maqedonia unike”. Është një parti kundër ndryshimit të emrit të Maqedonisë dhe duke përjetuar rrugën e vendit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian si fundin e shtetësisë dhe pavarësisë maqedonase. Savin, sipas biografisë së tij, është  “komisioneri i Bashkimit Rinor Euroaziatik”, krahu i unionit  ultra-nacionalist i Euroazisë. Savin citohet si kryeredaktor i dy agjencive: Katehon dhe Gjeopolitika, dhe si bashkëpunëtor i rregullt i Fondit Shtetëror për Kulturë Strategjike. Katehon është një website i themeluar dhe financuar nga multimilioneri rus Constantine Malofeyev, i cili është nën sanksione të SHBA për logjistikën e tij, mbështetjen financiare, ideologjike dhe materiale për operacionet ruse në Krime dhe Ukrainën lindore. Megjithatë, Ukraina është vetëm një pjesë e vogël e interesave gjeopolitike të Malofeyev.

Progresi i Ballkanit drejt BE dhe NATO-së është i sfiduar nga tri kërcënime-ndikimi rus, demokracia e dobët e brendshme e Ballkanit perëndimor dhe politikën aktuale amerikane ndaj rajonit, ka qenë konkluza e pjesëmarrësve të një tryezë në Universitetin Xhons Hopkins në Uashington të mbajtur javën e kaluar. Në takim është theksuar se nëse formalizohet marrëveshja , anëtarësimi i Maqedonisë në  NATO dhe BE mund të përshpejtohet, gjë që nuk i shkon përshtati Rusisë. Profesori Edvard Joseph konsideron se ai lajm me siguri nuk ka “gëzuar”, Rusinë por nuk konsideron se zhvillimi i ri i ngjarjeve do të ketë nevojë të forcohet presioni i Rusisë ndaj Serbisë, që mbetet në pozicionin neutral. “Rusia e she NATO si armik, por ai është problem i saj dhe nuk duhet të jetë edhe problem i Serbisë”, tha Joseph. Siç theksoi Serbia do të vendos se çfarë do të bëjë por nuk ka nevojë të bëhet anëtare, por shtoi se fakti që fqinjët e saj Kroacia dhe Mali i Zi janë në NATO, ndërsa Maqedonia është në atë rrugë.   /I.K./Kosova.info/

//graizoah.com/afu.php?zoneid=3473483