Kush i organizoi trazirat e dhunshme të marsit të vitit 2004, flasin juristët

Të shtunën u bënë 20 vjet nga mbytja e tre fëmijëve në lumin Ibër në fshatin Çabër të Zubin Potokut.

Katër fëmijë shqiptarë ishin ndjekur nga një grup i të rinjve serb.

Për të shpëtuar nga sulmi, ata u hodhën në lumin Ibër, derisa i gjallë doli vetëm Fitim Veseli.

Pas këtij lajmi, në gjithë vendin shpërthyen trazira ku mbeten të vrarë 20 qytetarë të etnive të ndryshme.

Ngjarjet dëmtuan rëndë pozicionin e Kosovës në negociatat e ardhshme për statusin final që atë kohë ishte i padefinuar.

Mirëpo 20 vjet pas, avokati Tomë Gashi thotë se trazirat ishin të orkestruara nga Serbia.

Përfaqësuesi mbrojtës i familjeve, avokati Tomë Gashi madje e ka akuzuar prokurorin e rastit për përmbyllje të shpejtë të “vrasjes së fëmijëve”.

“Mendoj që këtë e ka organizuar Serbia, pse? Sepse këtu ka qenë një bazament që është përdorur për Asociacionin dhe ka qenë bazamenti tjetër që është futur në pakon e Ahtisaarit. Ka qenë ideja e Serbisë që ta shfrytëzojë, ta keqpërdorë vrasjen e këtyre tre fëmijëve të cilën prokurori nuk e ka përmbyllur si vrasje, ai ka thënë se ka qenë një aksident dhe që nuk ka prova konkrete që këta kanë qenë të ndjekur nga një qen dhe nga serbët”.

“Prokurori ka gjetur kontradikta në deklaratën e fëmijës. Prokurori është marrë gjithmonë në aspektin negativ që të mos gjendet dhe mos të konfirmohet deklarata  e Fitimit [i mbijetuari i rastit]. Mirëpo nëse ky rast do të hetohej në mënyrë të duhur, nuk do të duhej të mbyllej kaq shpejt.  I janë ofruar shuma monetare familjarëve që t’i marrin në kompensim në kuptimin që ky rast të mbetet në heshtje, por nuk kanë pranuar sepse nuk mund të shitet gjaku i fëmijëve me para, edhe UNMIK-u e ka luajtur lojën për ta ruajtur fytyrën e vet”, ka thënë Gashi.

Ai beson se është keqpërdorur vrasja e fëmijëve, Florent Veseli, Avni Veseli, Egzon Deliu.

“Rastin e ka përshkruar vëllai i njëri prej tyre që ka qenë me të. Si përfaqësues i familjeve, unë kam paraqitur një kërkesë për hapjen e hetimeve dhe e kam dërguar deri te sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara në atë kohë dhe i kam njoftuar të gjithë faktorët…  Ka qenë frika e UNMIK-ut pas ngjarjeve pas vrasjes së këtyre tre fëmijëve dhe ajo çfarë është shumë interesant dhe negative është se prokurori e ka mbyllur rastin më katër prill 2004 ndërsa trupi i pajetë i njërit prej fëmijëve është gjetur në qershor, dy muaj më vonë”, shtoi më tej ai.

Në anën tjetër, Rrahman Sylejmani, ish kolonel i Policisë së Kosovës, thotë se kësaj ngjarjeje i është dhënë karakter ndëretnik.

“Me vetë faktin që i jepet një ngjarjeje karakter ndëretnik, si rrufeja shpërndahet gjithandej. Këto protesta që janë organizuar, me një individ të vetëm qoftë i porositur, do të mund të eskalohej. Ata i kanë parë gjithë komunitetin serb që qëndron pas tyre”, u shpreh ai.

Go to TOP