
Jose Ramon Sandoval ka qenë trajner i skuadrës Fuenlabrada për 11 javë, por nuk e ka udhëhequr ekipin për asnjë ndeshje të vetme. Ai nuk e ka udhëhequr në asnjë seancë të plotë stërvitore ekipin nga kategoria e dytë e Spanjës, mezi ka takuar lojtarët e tij dhe kurrë nuk u prezantua para mediave, lëre më para tifozëve, shkruan “The Guardian”.
Sikurse të gjithë të tjerët, edhe trajneri Sandoval ka vuajtur mbylljen nga koronavirusi dhe pranon se ishte një kohë shumë e vështirë.

Por, tani kur ekipi është rikthyer në fushë për t’u stërvitur pas një pauze të detyrueshme që nga muaji mars, trajneri Sandoval është pothuajse ndër të vetmit që tërë kohën e mbanë maskën në fytyrë.
“Duket se gjatë mbylljes e kam perfeksionuar mbajtjen e maskës. Ka qenë një periudhë e vështirë për të gjithë, por më shumë për mua”, pranon Sandoval.
Sandoval sapo kishte kapërcyer një operacion të hernisë kur Fuenlabrada, ekip që gjendet në periferi të Madridit, e thirri. Ai kishte qenë pa punë për 16 muaj, që kur ishte larguar nga ekipi i Cordobas. Emërimi i tij te Fuenlabrada u njoftua më 11 mars dhe atë mbrëmje ai ishte në klub vetëm për ta firmosur kontratën. Njoftoi të gjithë se të nesërmen do të niste puna e tij në fushë me ekipin, por vetëm 15 orë më vonë gjithçka shkoi keq. Në ditën kur Sandoval kishte paralajmëruar stërvitjen, ekipet e futbollit në mbarë Spanjën iu kërkuan të gjithëve që të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos dalin fare për shkak të përhapjes së koronavirusit. Prezantimi i tij u shty: klubi vendosi se nuk ishte koha e përshtatshme për një gjë të tillë. Dy ditë më vonë, shteti dha alarmin dhe njoftoi për mbylljen totale…