Kosova

Kush është kandidati i LDK’së për Kryeministër, në lojë Hoti, Shala dhe vetë Isa Mustafa

Pamje: EO

LDK ka gjithmonë më shumë se një emër kur bëhen matematikat partiake për postin më të lartë qeveritar. Në partinë që drejtohet nga Isa Musafa përmenden disa figura si të mundshme për t’ia zënë vendin Kryeministrit Kurti, nëse LVV nuk e formon një Qeveri të re dhe nëse vendi nuk shkon në zgjedhje. Aktualisht po lakohen emrat e Avdullah Hotit e Kujtim Shalës, i cili sot ka dhënë një përgjigje për Gazetën Express. Nuk po përjashtohet as mundësia që vetë Mustafa synon të jetë edhe njëherë në krye të ekzekutivit.

Presidenti Hashim Thaçi po e pret një emër nga Lëvizja Vetëvendosje për ta mandatuar për formimin e Qeverisë pas rrëzimit të Albin Kurtit. Paralelisht, LDK’ja ka nisur të bëjë hapa rreth krijimit të një koalicioni me AAK’në, Nismën dhe AKR’në, që ta formojë Qeverinë, pasi beson se shpejt do t’i vjen rendi.

Për udhëheqjen e një Qeverie, që do të pasonte pas rrëzimit të Kurtit, liderit më të votuar kosovar, përmendet anëtari i Kryesisë së LDK’së, Kujtim Shala, që në zgjedhje ishte i dyti në listë pas Vjosa Osmanit. Emri tjetër është ai i Avdullah Hotit, sfiduesit kryesor të Kurtit, që kur nisën përçarjet e koalicionit LDK-LVV.

Gazeta Express e ka pyetur Kujtim Shalën nëse brenda partisë është diskutuar emri i tij si i mundshëm për të qenë mandatar. Ai ka mohuar se një gjë e tillë ka ndodhur.

Hoti, deri në këto çaste, nuk i është përgjigjur një pyetjeje me shkrim të Expressit rreth spekulimeve për emrin e tij.

Ai në një intervistë për Pressing një natë pasi u shkarkua nga Kurti prej pozitës së zëvendëskryeministrit, ka thënë se, nëse është shkarkuar nga posti për arsye se Kurti mund ta ketë menduar atë si kryeministër të ardhshëm, është veç konspiracion i tij.

“Mund të jenë konspiracion të tij [Kurtit], por jo çështje nuk është diskutuar asnjëherë në LDK, sepse nuk kemi ardhur në atë pikë”, ka thënë Hoti një ditë pas rrëzimit të Qeverisë.

Analisti Astrit Gashi thotë se LDK’ja do të duhej që fillimisht t’i kërkojë Vjosa Osmanit ta marrë mandatin, meqenëse kjo parti ka garuar me Osmanin si kandidate për kryeministre në zgjedhjet e tetorit 2019.

“Sipas rrjedhës logjike LDK ka një kandidat për kryeministër të legjitimuar përmes partisë. Ajo është Vjosa Osmani. Logjika e thotë që ajo do të duhej të ishte personi i parë që do t’i ofrohej kjo pozitë. Nëse Vjosa do të refuzonte që edhe pritët ta bëjë, dhe tek pasi të ndodhe kjo, kryesia duhet të vendos për një kandidat tjetër”, ka thënë Gashi për Gazetën Express.

Për emrat që po përmenden, Gashi thotë se disa prej tyre nuk kanë interesim, e disa nuk mund ta bartin barrën e Kryeministrit. Prandaj, sipas tij, është e mundshme që vetë Isa Mustafa, që ka qenë Kryeministër më parë, të rikthehet në detyrën ku i kishte mbetur mandate në gjysmë.

“Kë do ta vendosë LDK është e vështirë për të prognozuar – dhe do të varet nga niveli i besimit dhe përgjegjësisë që LDK do ta investoj në këtë qeveri që vjen. Në mesin e shume emrave që po lakohen, disa nuk do ta pranonin këtë përgjegjësi në këtë moment, ndërsa disa të tjerë nuk kanë fuqinë ta bartin atë përgjegjësi”.

“Unë nuk e përjashtojë mundësinë që të jetë vetë Isa Mustafa kryeministër i ri. Edhe ashtu ai është kryetar, ai i udheheqi negociatat me VV, por edhe me AAK e Nisman për mocionin, si dhe i pati mbetur një mandat në gjysmë, që tani mund ta ketë mundësinë për ta vazhduar”, ka thënë ai.

Ndërkaq analisti Imer Mushkolaj beson se më e mundshmja është të kandidohej Avdullah Hoti, i cili në zgjedhjet e vitit 2017 ishte i nominuari i LDK’së për kryeministër e që në 50 ditët e Qeverisë Kurti ishte zëvendëskryeministër dhe njeriu kryesor i LDK’së në kabinet.

“Kandidati më i mundshëm i LDK-së për kryeministër është Avdullah Hoti. Ai ka investuar shumë që të vijë në vendin e Kurtit. Që nga fillimi i funksionimit të qeverisë, ai ka qenë kundërshtari më i madh i Kurtit, edhe pse zëvendës i tij. Hoti ka investuar që të ndërtojë profilin e një të personi të rëndësishëm brenda LDK-së dhe përçuesit e zbatuesit kryesor të kërkesave të ShBA-ve rreth heqjes së taksës. Ambicia e Hotit që të bëhet kryeministër rritet edhe më shumë duke pasur parasysh se Kurti e shkarkoi nga pozita dhe është një lloj hakmarrje nëse ia zë vendin”, ka thënë Mushkolaj.

 Ai nuk beson se në një situatë të tillë Kujtim Shala është i interesuar të bëhet kryeministër.

“Nuk besoj se Kujtim Shala nuk është i interesuar për kryeministër. Ai është profil tjetër dhe nuk besoj se do të marrë përgjegjësi të tillë në këtë situatë”, ka thënë Mushkolaj.

Këshilli i LDK’së të martën i ka dhënë leje Mustafës që të formojë një koalicion me AAK’në, Nismën, e AKR’në, që bashkë kanë 19 deputetë. LDK’ja ndërkaq ka 28. Pakicat joserbe kanë 9 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë, po refuzon të dërgojë emrin që Thaci po ua kërkon për formimin e Qeverisë së re. Kurti thotë se do të qëndrojë në detyrë derisa të kalojë pandemia, e pastaj, ai thotë se Presidenti duhet ta cojë vendin sërish në zgjedhje. /Express/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.