Kosova

Kurti: VV do të jetë qeverisësja e ardhshme e Kosovës

Lideri i Vetëvendosjes (VV), Albin Kurti po merr pjesë në punimet e Këshillit të Internacionales Socialiste që është duke u mbajtur në selinë e OKB-së në Gjenevë.

Në këtë Këshill marrin pjesë parti politike socialdemokrate nga mbarë bota.

Në një fjalim që ka mbajtur në këto punime Kurti ka folur për Lëvizjen që ai udhëheq duke thënë se është parti e majtë që i kundërvihet qeverive neoliberale që kanë sunduar vendin në dy dekadat e shkuara.

“Si popull ne kemi dalë prej një kolonizimi që zgjati 100 vjet, kemi dalë prej luftës në fund të viteve 90, dhe i kemi mbijetuar një gjenocidi. Prandaj, si një Lëvizje politike, nuk kemi asnjë dyshim se ne jo vetëm që do mbijetojmë ndaj qeverisjes aktuale autoritare në Kosovë, por do të jemi fitimtarë”, ka thënë Kurti.

Fjalimi i plotë i Albin Kurtit:

Lëvizja Vetëvendosje që unë përfaqësoj, e merr emrin prej parimit të rëndësishëm që shprehet në Nenin 1 të Kartës së Kombeve të Bashkuara. Kjo është një arsye më shumë për t’u ndjerë i nderuar që po flas para jush sot këtu në Gjenevë, në vendin ku Kombet e Bashkuara janë themeluar. Në Republikën e Kosovës Lëvizja jonë është opozita më e madhe, e orientuar majtas, që i kundërvihet qeverive neoliberale që kanë sunduar vendin tonë në dy dekadat e shkuara. Si popull ne kemi dalë prej një kolonizimi që zgjati 100 vjet, kemi dalë prej luftës në fund të viteve ‘90, dhe i kemi mbijetuar një gjenocidi. Prandaj, si një Lëvizje politike, nuk kemi asnjë dyshim se ne jo vetëm që do mbijetojmë ndaj qeverisjes aktuale autoritare në Kosovë, por do të jemi fitimtarë.

Ju lutem, më lejoni t’ju flas mbi domethënien e kësaj fitoreje, dhe e kujt është ajo. Është ndryshimi që do t’i japë fund privatizimeve brutale e abuzive që i ka lënë punëtorët tanë të papunë. Pothuajse gjysma e popullsisë tonë është lënë e papunë, ndërkohë që vetëm 1 në 8 gra të Kosovës kanë vend pune. Përmes modelit tonë ekonomik neo-Keynesian, përmes shtetit zhvillimor, ne jo vetëm që do ta luftojmë papunësinë; ne do të garantojmë të drejtat e punëtorëve, do të forcojmë sindikatat dhe do të mundësojmë kontratat kolektive, do të zvogëlojmë orët e punës dhe do të rrisim rrogën minimale dhe sigurinë në punë, do të luftojmë korrupsionin dhe do të rishpërndajmë të ardhurat në mënyrë të drejtë, përmes taksimit progresiv. Ky ndryshim do të thotë 24 orë ujë i pijshëm në çdo shtëpi; strehim social për të pastrehët; kanalizime dhe infrastrukturë për periferitë e parregulluara të qyteteve. Arsim e shëndetësi cilësore dhe falas, sepse këto nuk janë mallra për treg, janë të drejta që çdo qytetar duhet t’i gëzojë.

Të dashur miq, problemet që kemi në Kosovë e në Ballkan janë të ngjashme me problemet që punëtorët përballojnë, prej Michigan-it deri në Afrikën e Jugut, prej Indisë e deri në Kili. Burimi i këtyre problemeve është shpeshherë i njëjti, andaj është e domosdoshme që t’i gjejmë dhe t’i zbatojmë së bashku zgjidhjet, në frymën dhe praktikën e solidaritetit të vërtetë.

Kosova e shpalli pavarësinë në vitin 2008, e deri më sot është njohur nga 113 vende anëtare të Kombeve të Bashkuara. Në 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë vendosi në favor të pavarësisë që ne kemi shpallur, dhe Kosova sot është anëtare e FMN-së, Bankës Botërore dhe shumë organizatave ndërqeveritare, duke përfshirë dhe FIFA-n.

Ne synojmë të bëhemi anëtarë të Bashkimit Evropian, sepse duam të japim kontributin tonë për një Evropë më sociale. Megjithatë, nuk jemi duke punuar vetëm për njohjet e jashtme për pavarësinë tonë. Ne kemi luftuar për lirinë tonë të përbashkët, por liria nuk lidhet veç me sovranitetin e jashtmë. Liria është edhe përgjegjësi, e jashtme ndaj vendeve të tjera, dhe e brendshme ndaj gjithë qytetarëve tanë. Përgjegjësia e çdo vendi dhe e çdo qeverie; që do të jetë edhe jona kur të jemi në qeveri, është të sigurojë të drejtat politike e ekonomike, sociale e kulturore të njerëzve, pa asnjë diskriminim.

Njerëzit në vendin tonë prej shumë kohësh po shpresojnë në këtë ndryshim, dhe janë duke u organizuar. Vitin e shkuar, në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja jonë e dyfishoi mbështetjen dhe fitoi pjesën më të madhe të vitave krahasuar me çdo parti tjetër politike. Si një Lëvizje politike ne i fituam zgjedhjet, por na e penguan ardhjen në qeverisje, me taktikat e orëve të fundit të pushtetarëve dhe me koalicionet joparimore të partive të djathta. Megjithatë rezultatet zgjedhore na treguan se e vetmja gjë që mundën të bëjnë, ishte të blenin pak kohë. Rënies së tyre i ka ardhur koha qëmoti. Socialdemokracia shumë shpejt do të fitojë. Lëvizja Vetëvendosje do të jetë qeverisësja e ardhshme e Kosovës.

Dua t’ju ftoj të gjithëve në Kosovë, që ta shihni ndryshimin që ka për të ardhur në një vend të vogël që nuk pranon të ketë për fat determinizmin neoliberal. Vizitojeni Kosovën që të takoheni me popullin tonë, të mësoni mbi betejat e shpresat tona, që besoj se për nga vlerat janë të ngjashme me betejat e shpresat tuaja. Dëshiroj t’ju ftoj secilin prej jush, ata që vijnë prej vendeve që e njohin pavarësinë e Kosovës, por edhe ata që ende nuk e kanë njohur. Ne dëshirojmë të kemi mundësinë të njihemi me ju, të mësojmë prej njëri-tjetrit, dhe të çojmë përpara betejën kundër pabarazisë, për drejtësi shoqërore e ndërkombëtare.

Për fund, dëshiroj të konstatoj edhe se në tre vitet e shkuara ne kemi marrë pjesë rregullisht në mbledhjet e Këshillit të Internacionales Socialiste, duke u bazuar në vendimin tonë për t’u bërë anëtarë të kësaj organizate. Duke i ditur vlerat e përbashkëta që kemi, kërkoj mbështetjen tuaj për anëtarësimin tonë.

Ju falënderoj shumë për vëmendjen tuaj, dhe për mbështetjen që Internacionalja Socialiste na ka dhënë gjatë tre viteve të shkuara. E mirëpres vazhdimin e diskutimeve dhe bashkëpunimit tonë në këtë organizatë globale që është jetike për socialdemokracinë dhe solidaritetin mes popujve e shteteve. /Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.