Kosova

Kurti u bën ‘lutje’ ministrave e deputetëve të shkojnë në seancë

Kryeministri i Kosovës dhe njëherit lideri i VV-së, Albin Kurti siç duket ka mungesë numrash në Kuvendin e Kosovës, pasi që disa nga deputetët e tij po mungojnë në seanca.

Ai sot në fund të mbledhjes së qeverisë ua ka përkujtuar ministrave se nesër Kuvendi do të mbajë seancë ku do të hidhet në votim buxheti për vitin 2022.

Kjo thirrje e Kurtit vjen një ditë pasi që në Kuvendin e Kosovës nuk pati kuorum të votohet për kryetarin dhe anëtarët e bordit të Organit Shqyrtues të Prokurorimit, apo institucioni që ndryshe njihet si “Gjykata e Tenderëve”.

Gjithashtu, thirrje e kryeministrit vjen një ditë pasi deputeti i VV-së dhe ish-zv/kryeministri i Kosovës, Haki Abazi, shprehi haptas pakënaqësitë e tij duke refuzuar të marrë pjesë në seancën e djeshme të Kuvendit.

Ai dje në një postim në Facebook tha se ankesat ia ka “parashtruar lidershipit”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar një varg projektligjesh.

Në mbledhjen e sotme, ekzekutivi i dha dritën e gjelbër, Projektligjit për turizmin, Projektligjit për markat tregtare dhe Projektligjin për mbrojtjen e sekreteve tregtare.

Qeveria miratoi edhe Projektligjin për ratifikimin e këmbimit të notave diplomatike në lidhje me asistencën e ofruar në formë granti për kontroll të shitjeve te armëve ndërmjet Kosovës dhe ShBA-së.

Krahas këtyre, ekzekutivi miratoi edhe një sërë projektligjesh në pako të adresuara nga Ministria e Bujqësisë. 

Shfaq më shumë
//benoopto.com/4/3473483