EKONOMI

Kurti takon përfaqësues të Bankës Botërore

Kryeministri i Republikës së Kosovës z. Albin Kurti, ka takuar një delegacion nga Banka Botërore.

Sot, kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, i shoqëruar nga zv. kryeministri, z. Haki Abazi, pritën në takim drejtoreshën rajonale të Ballkanit Perëndimor, znj. Linda Van Gelder, dhe drejtorin për Kosovë, z. Marco Mantovanelli, nga Banka Botërore.

Në këtë takim u paraqitën prioritet e veprimit të shpejtë të qeverisë, me theks në projekt-ligjin e buxhetit për vitin 2020, reduktimin dhe shkrirjen numrit të ministrive dhe në përçimin e marrëveshjes së koalicionit në program qeverisës dhe plan pune.

Kryeministri Kurti dhe zv.kryeministri Abazi shprehën përkushtimin e Qeverisë për objektivat e zhvillimit të vendit. Këta objektiva synojnë t’i japin Kosovës atë për çka më tepër nevojë, substancë dhe përmbajtje. Brenga e shoqërisë sot është migrimi, ndaj dhe duhet menjëherë një plan zhvillimi që u rikthen njerëzve besimin dhe guximin për të qëndruar këtu, si dhe që motivon njëherësh kthimin e trurit nga jashtë. Potencialet janë mes nesh, por investimet nuk janë adresuar në mënyrën e duhur dhe janë përqendruar në fushat e gabuara.

Kryeministri shprehu edhe besimin se qeverisja do t’iu kthejë njerëzve një lidhje të re me tokën e tyre, duke patur parasysh këtu edhe pasuritë dhe burimet natyrore. Kosova nuk duhet të jetë më një vend tranziti për qytetarët e vet. Kjo mendësi duhet të transformohet.

Nga përfaqësuesit e Bankës Botërore u shpreh vazhdimi i mbështetjes së Kosovës nëpërmjet Asociacionit për Zhvillim Ndërkombëtar (IDA), gjë që ndodh përmes kredive e granteve me interes të ulët. Ata u shprehën edhe mbi dy prioritetet e Bankës Botërore për fokusim në sigurinë e ujërave, pastrimin dhe mbrojtjen e ambientit./Kosova.info/

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.