Kosova

Kurti s’mund t’i prekë drejtorin dhe kryeinspektorin e AKI’së pa dakordimin e…

Vendimi që Ramush Haradinaj sa udhëhiqte qeverinë në detyrë, e kishte marrë në koordinim me presidentin Hashim Thaçi për emërimet në AKI nuk po mund të rishqyrtohet nga ekzekutivi në krye me Albin Kurtin për shkak të marrëdhënieve të acaruara presidencë – qeveri.

Nga qeveria në detyrë kanë deklaruar për Gazetën Express se vendimi për shkarkimin e drejtorit e kryeinspektorit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë do të diskutohej nëse do të kishte një dakordim të Thaçit, apo plotësim ndryshim të ligjit aktual. Për Gazetën ka folur edhe kreu i Komisionit për mbikëqyrjen e AKI’së, Fatmir Xhelili dhe njohësit e çështjeve të sigurisë.

Gjatë kohës sa Kosova po funksiononte me qeveri në detyrë, kreu i ekzekutivit në bashkërendim me presidentin patën emëruar Drejtorin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë dhe Inspektorin e Përgjithshëm të AKI’së.

Emërimi i Kreshnik Gashit si drejtor dhe Burim Ramadanit, kryeinspektor, kishte ngritur reagime të shumta, derisa, partitë që atë kohë po bisedonin për të formuar së bashku koalicionin, kishin paralajmëruar se ky vendim do të rishikohej sapo të merrnin detyrën.

Megjithatë, kanë shkuar më shumë se gjashtë muaj dhe për emërimin e Gashit dhe Ramadanit në institucionin më të lartë të sigurisë në vend, nuk është përmendur shkarkimi, siç u paralajmërua.

Në qeverinë në detyrë që udhëhiqet nga Albin Kurti thonë për Gazetën Express se me ligj pamundësohet që të merret një vendim për shkarkimin e Gashit e Ramadanit, pa pajtimin e presidentit.

Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu shton se nëse do të kishte vullnet nga presidenti apo plotësim ndryshim të ligjit aktual, një gjë e tillë do të diskutohej.

“Ligji për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë përcakton se procedurat e rishqyrtimit të këtyre vendimeve është e njëjtë me atë të emërimit, me ç ‘rast kërkohet një dakordim në mes Kryeministrit dhe Presidentit. Ligji aktual e pamundëson një vendim të njëanshëm. Në një situatë tjetër, në të cilën do të kishte vullnet të kuvendit për ta plotësu-ndryshuar ligjin, ose një president me gatishmëri për dakordim, do kishin një çështje tjetër të diskutimit”, ka thënë Kryeziu.

Ai shton se drejtori dhe inspektoi i përgjithshëm i AKI’së e kanë njoftuar në vazhdimësi kryeministrin për aktivitetet.

“Marrëdhënia dhe raporti në mes Kryeministrit dhe Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë parashihet dhe rregullohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në Ligjin për Agjencinë e Kosovës për inteligjence (AKI). AKI, përkatësisht drejtori dhe inspektori i përgjithshëm i saj, i përgjigjet drejtpërdrejt Kryeministrit dhe e njofton vazhdimisht për aktivitetet e saj. Komunikimi mes tyre dhe Kryeministrit Kurti është i rregullt dhe në përputhje me mandatin e tyre dhe nevojat e Kryeministrit”, ka thënë Kryeziu.

Drejtori i AKI’së, Kreshnik Gashi dhe inspektori Burim Ramadani për punën e tyre nuk kanë raportuar ende as para komisioni parlamentar.

Ani pse janë bërë gjashtë muaj prej kur e kanë marrë detyrën dhe ligji e specifikon se të njëjtët duhet dy herë në vit të raportojnë para komisionit për mbikëqyrjen e AKI’së, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Kryetari i komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Fatmir Xhelili ka thënë për Gazetën Express se e kanë në plan që t’i ftojnë Gashin dhe Ramadanin për raportim.

Këtë javë, sipas Xhelilit, anëtarët e komisionit do të mbajnë një takim me drejtorin e AKI’së dhe kryeinspektorin.

“Komisioni në planin e punë ka planifikuar që të ftoj Drejtorin e Agjencionit dhe Inspektorin në raportim për punën e Agjencionit. Gjithashtu edhe për të informuar Komisionin për Platformën vjetore, mbi të cilën e ndërton punën Agjencioni. Mbajtja e takimit është prolonguar për shkak të rrethanave te krijuara me Pandeminë. Kemi planifikuar që këtë javë të kemi një takim me Drejtorin e pastaj edhe me Inspektorin. Në komision nuk ka asnjë ankesë në drejtim të punës së Agjencionit dhe drejtuesve të tij. Shqyrtimi i emërimeve është në kompetencat e Presidentit dhe Kryeministrit”, ka thënë Xhelili.

Derisa Kushtetuta e specifikon se vendimi për emërimin dhe shkarkimin e drejtorit dhe inspektorit të përgjithshëm të AKI’së merret nga kryeministri dhe presidenti i vendit, ekspertët e sigurisë deklarojnë se shkarkimet nuk mund të ndodhë pa dakordimin e tij me presidentin Hashim Thaçi.

“Është çështje e ndërlikuar pasi që edhe zgjedhja edhe emërimi i tri autoriteteve në kuadër të AKI’së, prej drejtorit të përgjithshëm apo krye shefit ekzekutiv, zëvendësdrejtori dhe inspektori i përgjithshëm shkojnë në koordinim, pra presidenti dhe kryeministri edhe emërimi dhe shkarkimi duhet të jetë një harmonizim i qëndrimeve të përbashkëta, këtu sjell problem, pasi që duhet edhe pëlqimi i presidentit edhe me rastin e shkarkimit. Unë nuk mundem me fol për performancën e tyre pasi që ata njëkohësisht janë edhe këshilltarë për siguri edhe të presidentit në aspektin e inteligjencës, dhe të kryeministrit kështu që për performancën e tyre nuk mund të flas pasi që opinioni nuk ka njohuri për performancën e tyre apo sa janë duke i kryer në nivel detyrat. Mirëpo, më së miri e dinë dy autoritetet dhe Komisioni parlamentar për mbikëqyrjen e AKI’së”, ka thënë për Gazetën Express, eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi, duke shtuar se nuk mund të dihet se si të njëjtit po i kryejnë detyrat, pasi që nuk kanë raportuar para komisionit.

“Në bazë të ligjit për AKI’në ata duhet së paku dy herë në vit të raportojnë para komisionit parlamentar, deri tash nuk janë prononcuar. E di që komisioni është formuar po pse s’kanë pas asnjë takim nuk jam njoftuar, kjo ndërlidhet direkt me mbikëqyrjen e punës së tyre, pasi që emërimi i tyre në kohë mjaft të ndjeshme, me shkarkimin e qeverisë së kaluar edhe kjo bën që realisht të mos kemi informacion apo raport prej këtyre mbikëqyrësve të punës së tyre për performancën, realisht nuk e dimë se sa po i kryejnë me sukses detyrat, a kanë ndonjë lëshim, edhe eventualisht për mundësinë që është paralajmëruar nga kryeministri në detyrë për shkarkimin e tyre”, ka thënë ai.

Ehat Miftaraj nga IKD ndërkaq thotë se emërimi i Gashit dhe Ramadanit ishte kritikuar, për arsye të politizimit.

Ai shton se mënyra se si të njëjtit janë emëruar cenon integritetin dhe kredibilitetin e tyre.

“Emërimi dhe shkarkimi i Drejtorit të AKI-së dhe Inspektorit të Përgjithshëm është kompetencë dhe përgjegjësi e përbashkët e Presidentit dhe Kryeministrit të Republikës. Në këtë drejtim në bazë të ligjit është pothuajse e pamundur që Kryeministri në detyrë të marr ndonjë veprim drejtë shkarkimit të këtyre pozitave.  Sikurse, në shtetet në të cilat sundon ligji dhe qeverisja e mirë, ku zyrtarët e lartë publik e veçanërisht ato të sigurisë kanë integritet dhe në plan të parë e kanë kredibilitetin e institucionit nuk do të pranonin të qëndronin në këto pozita nëse nuk e kanë besimin e Presidentit apo kryeministrit.  Fatkeqësisht, të dy këto pozita ishin kritikuar nga dhënia civile për shkak të politizimit të tyre. Përderisa si Drejtori i AKI-së ashtu edhe Inspektori i Përgjithshëm mund të jenë profesionist të fushës, mënyra se si janë emëruar në këto pozita cenojnë rëndë integritetin, kredibilitetin dhe besimin e publikut lidhur me pavarësinë dhe paanshmëri në e tyre”, ka thënë Miftaraj për Gazetën Express.

Lëvizja Vetëvendosje pas emërimeve në AKI përmes një reagimi e kishin quajtur antikushtetues e pazar të PAN’it në kurriz të shtetit zgjedhjen e Gashit dhe Ramadanit.

Vetë kryeministri në detyrë, Albin Kurti kishte thënë se të gjitha vendimet e marra pas datës 19 korrik nuk do ta kenë statusin e njëjtë si ato para kësaj. Rrjedhimisht, ai kishte premtuar rishqyrtimin e tyre.

“Të gjitha vendimet që janë marrë pas datës 19 korrik 2019 nuk mund ta kenë statusin e njëjtë si vendimet para kësaj date. Pra po i referohem datës kur ish-kryeministri dha dorëheqje. Prandaj Qeveria e Republikës së Kosovës, unë si kryeministër i saj, do të kemi një rishqyrtim të të gjithë kësaj faze pas dorëheqjes së ish-kryeministrit”, kishte thënë Kurti.

Në të njëjtën vijë sa i përket pozitës së Gashit dhe Ramadanit në AKI qëndronte edhe tash i nominuari për kryeministër, Avdullah Hoti, që kishte qenë për tre muaj edhe numri dy në Qeverinë Kurti. Edhe Hoti kishte deklaruar se vendimet e Haradinajt, sa ishte në detyrë, do t’i rishqyrtojnë.

“Plani ynë, dakordimi ynë i përbashkët, është që ne të analizojmë vendimet e qeverisë nga momenti i dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. Pra, nga data 19 korrik, 2019 e këndej, për të parë nëse ato vendime kanë qenë në përputhje me ligjet në fuqi, me procedurat e nevojshme që duhet të ndiqen për ato emërime, por edhe nga aspekti i legjitimitetit të marrjes së vendimeve të tilla sepse një qeveri që është në dorëheqje, duhet të përkujdeset vetëm për mbarëvajtjen e punës së institucioneve”, kishte thënë Hoti.

Me të marrë detyrën e të parit në qeveri, Kurti nuk ka folur publikisht për shkarkimin e drejtorit e kryeinspektorit të AKI’së.

Ai ka lajmëruar se ka realizuar një vizitë në këtë institucion, mirëpo, kjo ka ndodhur në 11 vjetorin e themelimit të AKI -së.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.