Kosova

Kurti: Presidenti sot doli në ilegalitet, mundësinë ia dhanë krerët e LDK-së

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi ka dalë në ilegalitet me vendimin që t’ia japë mandatin për formim të qeverisë së re, pa zgjedhje, cilësdo parti apo koalicion që dëshmon që ka shumicën në Kuvend.

Ai ka thënë se presidenti doli në ilegalitet me mundësinë e dhënë nga krerët e ish-partnerit, LDK-së.

“Presidenti sot doli në ilegalitet. Formalizimi i deklarimeve të sotme do të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese. Presidentit këtë mundësi ia dhanë krerët e LDK-së, të cilët paraprakisht me vullnet braktisën çdo fjalë të thënë e dhënë ndaj qytetarëve e ndaj nesh. Me këso veprime e taktikash shpaloset përpjekja për të blerë ilegalisht kohën të cilën ua shkurtoi vullneti i qytetarëve”, ka thënë ai në një konferencë për media.

Kurti ka thënë se ky veprim i Thaçit nuk është në kompetencën e presidentit. Sipas tij, zgjedhjet është dashur të jenë opsioni i vetëm pas rrëzimit të qeverisë më 25 mars.

“Nuk është në kompetencën e presidentit të Kosovës vlerësimi i interesave të partive, por mbrojtja e interesit shtetëror. Çfarë rendi paskemi ne që t’i pyesim partitë si duan të procedojnë. Kjo që ka ndodhur është e paparë më herët dhe rrezikon seriozisht rendin tonë kushtetues. Pas mocionit të mosbesimit përmes të cilit u shkarkua qeveria, presidentit nuk i krijohet hapësirë të luajë rol të akterit politik. Zgjedhjet janë opsioni i vetëm”, ka thënë tutje ai.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.