Kosova

Kurti: Po vjedhin shumë, sepse janë në mandatin e fundit

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, ka thënë se keq investimi është faktori kryesor që e ka degraduar ekonominë në Kosovë.

Kurti po bashkëbisedon me studentet e Universitetit të Prishtinës, diskutim i organizuar nga organizata ‘Studim, Veprim, Kritikë’.

“Arsyeja pse po vjedhin shumë është sepse janë në mandatin e tyre të fundit. Është edhe koha kur ata po e ndjejnë se nuk mund të jenë në pushtet serish. ky është mandati i fundit i presidentit dhe kryeministrit”, ka thënë Kurti.

Albin Kurti ka thënë se në jetën e një shoqërie shkollimi dhe punësimi nuk janë dy faza të ndryshme e të njëpasnjëshme, sikur ndodh tek individi. Sipas tij ajo që vlen për jetën e një individi nuk vlen për një shoqëri.

“Ne propozojmë një sistem të integruar organik midis studimit dhe punësimit, këto duhet të shkojnë bashkë. Ne nuk e shohim universitetin si vend konsumi, por prodhimi, aty duhet edhe të prodhosh. Nëse universiteti nuk ka kërkim shkencor universiteti i përngjan shkollave te mesme. Elementi tjetër është keq investimet në Kosovë, këtu përveç që ka krim të organizuar, korrupsion, keqpërdorime, është edhe keqinvestimi, paratë dërgohen në shtigje të gabuara. 10- fish më shumë shteti i Kosovës, për shkak te kësaj qeverie, jep për asfalt sesa për universitet. Ka investime aty ku mund të vidhet më shumë, ka investime kur nuk janë të fokusuara për punësim por për kapital. Neve na nevojiten investime në ekonomi, që sjellim punësim. Kur isha në spital nuk kishin mjeket e infermieret as maska e as dorëza, medikamentet bazë i blinin vet pacientët. Nuk kishte dorëza sepse kushtojnë lirë, aty nuk mund te vjedhin shumë, sikur në asfalt “, ka thënë Kurti para studentëve.