Kurti në tryezën e rrumbullakët me studentë RAE: Krenarë që çdo vit kemi më shumë studentë nga komunitete të ndryshme në universitetet tona publike

Në vazhdën e aktiviteteve të zhvilluara gjatë ditës së sotme, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, qëndroi për vizitë në qytetin e Prizrenit, ku mori pjesë në tryezën e rrumbullakët me studentët nga komuniteti romë, ashkali dhe egjiptianë, takim ky i cili u zhvillua në hapësirat e Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti”.

Nga zyra e kryeministrit njoftojnë se i pari i qeverisë fillimisht zhvilloi një takim me Rektorin e Universitetit “Ukshin Hoti”, Mentor Alishani, ku edhe u njoftua për punën dhe të arriturat e këtij Universiteti, teksa u shpreh se është i lumtur që ndodhet në qytetin e lashtë të Prizrenit nga i cili kanë dalë shumë intelektualë e artistë. Aty ai veçoi edhe të ndjerin Kujtim Paçaku si një nga studentët e dalluar.

“Në tryezën e diskutimit të pranishëm ishin edhe disa nga studentët që kanë përfituar nga bursat për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, të cilat janë ndarë këtë vit, të realizuara në bashkëpunim mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Vlen të theksohet së gjatë ditës së djeshme, është nënshkruar kontrata për fonde për Lendrit Çekun, egjiptiani i parë në Kosovë për studime doktorature”, thuhet në kumtesën për media.

Tutje bëhet e ditur se gjatë diskutimit me studentë, kryeministri Kurti veçoi edhe themelimin e Ekipit Ndërinstitucional gjatë vitit 2022, i cili ka për qëllim promovimin e punësimit të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, krahas bursave që janë ndarë për studentë të arsimit të lartë dhe atyre të shkollave të mesme.

“Ne si Qeveri vlerësojmë diversitetin si pasuri për një shtet, jemi krenarë që çdo vit kemi më shumë studentë nga komunitete të ndryshme në universitetet tona publike dhe më shumë të diplomuar në tregun tonë të punës”, u shpreh Kurti gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë dhe të rejat nga komunitetet.

Ndërsa, Rektori i Universitetit të Prizrenit, profesor Mentor Alishani, u shpreh se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian janë aset shumë i rëndësishëm i shoqërisë sonë dhe gëzojnë një prezencë të fuqishme në vendin tonë. Ai theksoi se në të gjitha programet studimore kanë studentë e bursistë nga komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.

“Universiteti ynë ka qenë dhe do të jetë i hapur për të gjitha iniciativat dhe projektet që kanë për qëllim promovimin e vlerave të komunitetit që janë pjesë e pandashme e shoqërisë sonë”, shtoi tutje rektori.

Go to TOP