Kosova

Kurti në konferencë viruale me gazetarë të huaj – thotë se është kundër një dialogu me harta që përfshinë shkëmbim territoresh ose ripërcaktim kufijsh

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka mbajtë një konferencë virtuale me gazetarë të medieve të huaja.

Pjesë e kësaj konference ishin mbi 35 mediume ndërkombëtare, ku kryeministri në detyrë i njoftoi mbi masat të cilat Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë me qëllim menaxhimin dhe parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19, zhvillimet politike të cilat çuan deri te rrëzimi i Qeverisë dhe rrugën që kemi përpara për zgjedhje të reja si e vetmja alternativë pas mocionit të mos-besimit.

Në lidhje me COVID-19, Kryeministri në detyrë bëri një përmbledhje të situatës, duke renditur dhe shpjeguar masat e vendosura të cilat kanë rezultuar me një situatë ku Kosova vazhdon të ketë një prej shkallëve më të ulët të vdekjeve në rajon, derisa gjendja e përgjithshme vazhdon të jetë nën kontroll.

Kurti poashtu tha se krahasuar me vendet tjera evropiane, ne kemi trashëguar një sistem të rrënuar shëndetësor dhe si rezultat i korrupsionit dhe keqmenaxhimit në vend ndër vite kemi humbur shumë staf mjekësor për në Bashkimin Evropian. Prandaj në luftimin e COVID-19 nuk kemi zgjedhje më të mirë se sa parandalimi. Ai u shpreh krenar me punën e stafit mjekësor si dhe me punën e Policisë e cila ka një detyrë shumë të vështirë në zbatimin e masave për luftimin e COVID-19.

“Kryeministri në detyrë foli edhe për ngjarjet që paraprinë dhe shkaktuan mocionin e mosbesimit. Ai filloi nga 6 tetori 2019, kur qytetarët me votën e tyre të lirë dhe demokratike, dërguan në opozitë qeverisjen e kaluar dhe votuan për ndryshim duke përcaktuar edhe fituesin e zgjedhjeve edhe kryeministrin. Ai tha se gjatë zgjedhjeve është fokusuar në dy çështje, në punësim dhe drejtësi. Punë sepse ka papunësi dhe varfëri të madhe, dhe drejtësi sepse ka kapje të shtetit dhe korrupsion në nivele të larta drejtuese. Kurse dialogu me Serbinë nuk ishte as temë e tretë në zgjedhje. Në ditët e para të Qeverisë jam fokusuar në zvogëlimin e kabinetit qeveritar duke ulur numrin e ministrive nga 21 në 15, uljen e pagave për kabinetin qeveritar, reformat në ndërmarrjet publike, reformat ekonomike dhe shëndetësore si dhe ato në drejtësi nëpërmjet procesit të vetingut. Reforma këto që u mirëpritën nga qytetarët”, thuhet në komunikatë.

“Në lidhje me tarifën 100% e cila ishte vendosur nga qeveria e kaluar, ai atë do ta zëvendësonte me reciprocitet. Kryeministri në detyrë Kurti, rikujtoi se ky ishte premtim në zgjedhje edhe i partnerit të koalicionit (LDK), premtim ky i cili ishte vendosur në marrëveshjen e koalicionit dhe votuar në kuadër të programit qeverisës. Megjithatë, ai deklaroi se ishte përballur me presion për heqje dorë nga parimi i reciprocitetit përkundër faktit se edhe në deklarata publike dhe në takime private kishte theksuar se nuk do të heq dorë nga një gjë e tillë. Tutje, ai tha se nuk është kundër dialogut e as kundër një marrëveshjeje, por është kundër një dialogu pa parime dhe një marrëveshjeje pa parime. Ai gjithashtu theksoi se është kundër një dialogu me harta që përfshinë shkëmbim territoresh ose ripërcaktim kufijsh, dhe se për të përmbajtja e marrëveshjes është më e rëndësishme se sa shpejtësia me të cilën arrihet ajo”.

Në fund tha se rruga përpara, pas rrëzimit të Qeverisë, janë zgjedhje të reja të cilat do të freskojnë legjitimitetin e institucioneve qeverisëse. “Jemi në detyrë dhe nuk ka vakum deri në zgjedhje të reja”.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.