Kosova

Kurti në ambicie të mëdha

Reformat e parapara nga kreu i Qeverisë së Kosovës Albin Kurti në sektorin e ekonomisë nga njohësit e çështjeve ekonomike janë duke u parë si ambicioze, por të realizueshme, ndërsa si dëshira të pamundura nga partitë opozitare të vendit. Kurti ndër të tjera ka premtuar mbylljen e AKP-së, bashkimin e Doganës me ATK-në, si dhe rritjen e buxhetit deri në tre miliardë euro për një vit.

Në seancën, kur mori detyrën e re si kryeministër i vendit, Albin Kurti ndër synimet me parësore shpërfaqi reforma ambicioze në sektorin e ekonomisë, nëpërmjet të të cilave do të dinamizohej zhvillimi ekonomik i vendit.

Mbyllja e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, bashkimi i Administratës Tatimore të Kosovës me Doganën, rritja e buxhetit deri në tre miliardë euro, si dhe programi për 8 orë punë janë disa nga synimet e qeverisë “Kurti” për reforma në ekonomi. Për njohësit e çështjeve të ekonomisë synimet e paraqitura nga Kurti për reforma rrënjësore në ekonomi po shihen ambicioze, pavarësisht se realizimi i tyre varet edhe nga jetëgjatësia e Qeverisë.

Nga përfaqësuesit e partive opozitare këto synime të Kurtit po shihen vetëm si dëshira personale.