Kosova

Kurti: Na duhet qeveria për të zbatuar edhe Rezolutën mbi gjenocidin e kryer nga Serbia

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka kujtuar kohën kur para 8 muajsh, në Kuvendin e Kosovës është miratuar Rezoluta mbi gjenocidin e kryer nga Serbia në Kosovë.

Në këtë Rezolutë, Kurti thotë se u vendos që 15 janari, pra dita e masakrës së Reçakut, të shpallet Ditë e Përkujtimit të gjenocidit ndaj shqiptarëve në Kosovë.

E për të zbatuar këtë Rezolutë dhe vendime tjera të mira që i ka marrë Kuvendi, Kosovës, tha Kurti, i nevojitet qeveria dhe institucionet.

“Nuk është që Kuvendi i Kosovës nuk ka marrë edhe këso vendimesh të mira, prandaj tash na nevojiten qeveri dhe institucione të vullnetshme që do t’i respektonin e zbatonin ato”, tha Kurti në një postim në Facebook.

Tutje, ai thotë se Rezoluta i referohet konventave, deklaratave, gjykatave, rezolutave dhe raporteve të ndryshme ndërkombëtare.

“Në bazë të të dhënave zyrtare, listohen faktet e krimeve të gjenocidit, krimeve kundër njerëzimit dhe krimeve të luftës në Kosovë. Rezoluta përmban kërkesa ndaj Serbisë por edhe zotime tonat si shtet për të sjellë drejtësi, reparacion e rehabilitim për viktimat. Miratimi asokohe u bë me 79 vota PËR”, u shpreh ndër të tjera Kurti.

Kujtojmë se nga përfundimi i zgjedhjeve të 6 tetorit, nga ku VV-ja doli e para, vendi ende s’ka arritur të formojë qeverinë. Kjo pasi partia e parë dhe e dyta, që është LDK-ja, nuk po arrijnë të merren vesh për ndarjen e ministrive.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.