Kosova

Kurti me rastin e ditës së Holokaustit: shqiptarët e dinë si është të jesh i padëshiruar

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një dedikim ditës së Holokaustit, në rrjetin social “Facebook”, ka shkruar se shqiptarët e dinë, si është të jesh i padëshiruar, etni e dorës së dytë.

“Mbase ngjashmëritë në përvoja të dhimbshme historike bënë që para 8 dekadash shqiptarët të ruanin aq sa mundeshin hebrenjtë që jetonin me ta, e të tjerët që përpiqeshin t’i iknin tërbimit nazist. Mbrojtja e viktimave nuk u bë për lavdi, as për falënderim, por thjesht pse ashtu duhet. Ashtu është njerëzorja. Të zbatosh urdhrat e pushtetit kundër asaj çka të thotë ndërgjegjja njerëzore, do të thotë ta shndërrosh veten në makinë – e pasojat e kësaj ishin fatale, në kohën e nazi-fashizmit, por edhe më vonë me gjenocidet afër nesh e te ne, njëherë në Srebrenicë, e pastaj në Reçak, Krushë, Mejë…”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, Holokausti është ngjarje e pakrahasueshme për nga tmerri e dhimbja.

“Ky kulm i poshtëm i aktivitetit njerëzor, duhet kujtuar përjetë, në Izrael e në gjithë botën. Në shenjë respekti për mbi 6 milionë viktimat, e në shenjë zotimi që secili nga ne, në hapësirën tonë të vogël e të përditshme, të dënojmë çdo jehonë të mentalitetit politik përjashtues të tjetrit, e sidomos ekstremin e vet që shkatërron e shfaros”, ka shkruar Kurti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.