Kurti me lavdata për qeverisjen e tij, përmend sukseset në shëndetësi

“Është bërë shumë, duhet edhe më shumë. Jemi në rrugë të mbarë të transformimit të shëndetësisë”.

Kështu thotë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ku përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka renditur “të arriturat”, në fushën e shëndetësisë përgjatë tre vjetësh qeverisje.

Opozita e kritikon qeverinë për menaxhimin e sektorit të shëndetësisë, duke i listuar disa nga “dështimet” në këtë dikaster.

Ata kritikojnë furnizimin me barna esenciale dhe ankesat e shumta të pacientëve, ndërsa theksojnë se ndërhyrjet e politikës në shëndetësi janë bërë praktike.

Por, kreu i ekzekutivit mendon ndryshe.

“Niveli në të cilin e gjetëm fushën e shëndetësisë ishte tejet shqetësues. Me të filluar mandatin tonë, u përballëm me një sfidë sa të vështirë, aq edhe të panjohur, por edhe të pamundshme siç thoshin disa. I siguruam 2.2 milionë vaksina që nuk i gjetëm kur e morëm detyrën, me shpejtësi rekorde u vaksinua mbi 60% e popullatës së rritur dhe tejkaluam kështu pandeminë e Covid-19 edhe falë betejës vetëmohuese të stafit shëndetësor. Prej atëherë, kemi kaluar nga paradigma e menaxhimit të shëndetit publik në atë të përmirësimit dhe të avancimit të shëndetësisë. Ndamë 100 milionë euro më shumë për shëndetësi, 60 milionë euro për listën e re të barnave esenciale dhe 6.5 milionë euro më shumë për barna për sëmundje të rralla. Pra, në 60 milionë nga 24 milionë sa ishte para ardhjes sonë në qeveri, e në listën e barnave esenciale u shtuan mbi 70 barna të reja për trajtimin e shumë sëmundjeve”, shkroi Kurti.

Ai thotë se e kanë pesëfishuar buxhetin për vaksina për parandalim dhe kanë siguruar vaksina të reja të rëndësishme siç është ajo e HPV që parandalon kancerin e qafës së mitrës.

“Paraprakisht kemi investuar në depo moderne të vaksinave dhe automjete për ruajtjen e zinxhirit të ftohtë. Me shtimin e inspektorëve shëndetësorë dhe farmaceutikë, për tri vjet i kemi trefishuar kapacitetet inspektuese. Pesë klinika janë në rinovim të tërësishëm: Klinika e Onkologjisë, ku po dyfishojmë numrin e shtretërve; Klinika e Gjinekologjisë, Klinika e Urologjisë, Klinika e Kardiokirurgjisë dhe Klinika Emergjente”.

Go to TOP