Kurti me kabinetin qeveritar pritet të bëjnë homazhe në Gllogjan e vizitë te familja Haradinaj

Kryeministri i Republikës së  Kosovës, Albin Kurti dhe kabineti qeveritar pritet që gjatë të premtes të bëjnë homazhe në kompleksin memorial “Dëshmorët e Kombit” në Gllogjan.

Këto homazhe pritet të fillojnë nga ora 11:30. Pas të njëjtave, Kurti pritet të vizitojë familjen Haradinaj.

24 marsi i vitit 2023 shënon 25-vjetorin e zhvillimit të betejës së UÇK-së në Gllogjan. Në  këtë ditë ranë dëshmorë Himë Haradinaj, Gazmend e Agron Mehmetaj.

Gjithashtu, këtë të premte bëhen 24 vjet nga mbrëmja e llahtarshme e 24 marsit të vitit 1999, të cilën qytetarët e Gjakovës, e mbajnë mend si natën më të gjatë dhe më të tmerrshme të pushtetit serb ndaj popullsisë civile në shenjë hakmarrjeje për fillimin e bombardimeve të NATO-s ndaj caqeve serbe.

Atë natë u ndez flakë e tërë Çarshia e Vjetër e Gjakovës si dhe u vranë në mënyrën më mizore dhjetëra civilë të pafajshëm. Bashkë me bombardimet, për 78 ditë me radhë, si në gjithë Kosovën edhe në Gjakovë vazhduan vrasjet, dhunimet, djegiet dhe dëbimet masive të popullsisë shqiptare.

Go to TOP