Kosova

Kurti: Kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë pasi japin betimin, kjo do të duhej të ishte detyrë interesante për prokurorët

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se janë bërë dy muaj që kur ai dhe deputeti i LVV-së, Glauk Konjufca, kanë dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë e shtetit për shpifje ndaj tyre nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Kurti në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se deri më tani nuk kanë pranuar asnjë thirrje nga Prokuroria e shtetit lidhur me këtë rast.

Sipas tij kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo do të duhej të ishte detyrë interesante për prokurorët.

“Prokurorë me flladitëse

Askush nuk na thirri as sot, nga prokuroria e shtetit. U mbushën dy muaj që me Glaukun patëm dorëzuar kallëzimin penal. Presidenti i Kosovës dhe Kryetari i Kuvendit kanë gënjyer e shpifur nën betim. Në procesin gjyqësor kundër kinse pjesëtarëve të organizatës së ashtuquajtur “Syri i Popullit”, më 28 dhjetor 2018, kanë thënë një mal me të pavërteta. Prej asaj se dora ime dhe e Glaukut i paska shkruar komunikatat e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, te veshi i Presidentit që paska dëgjuar urdhër për vrasje nga ne, e deri te njëfarë krahu i armatosur i VETËVENDOSJE!-s.

Gjuha është prej tulit e letra duron gjithçka, por kur krerët e institucioneve gënjejnë në gjykatë porsa japin betimin se do flasin të vërtetën, kjo sigurisht se do të duhej t’ishte detyrë fort interesante për prokurorët. Ama jo edhe për këta tanët, meqë asnjëri, ama bash asnjëri, ende nuk na thirri, asnjërin prej neve dyve, as në ditën kur filloi muaji i tretë i moskokëçarjes së tyre. Thua se këta prokurorë populli ynë i varfër po i paguan veçse për t’u bërë fresk kriminelëve?!”, ka thënë ai. /Telegrafi