Kosova

Kurti ka deklaruar se do t’i rishqyrëtojë vendimet e marra nga qeveria paraprake

Kryeministri i ri, Albin Kurti, ka deklaruar se do të rishqyrtohen të gjitha vendimet që janë marrë pas dorëheqjes së qeverisë “Haradinaj”.

Njëjtë mendojnë edhe partnerët nga LDK-ja, përfaqësuesit e së cilës parti thonë se rishqyrtimi i këtyre vendimeve është pjesë e marrëveshjes ndërmjet koalicionit qeverisës. Se duhet të veprohet kështu po deklarojnë edhe njohësit e çështjeve juridike, të cilët theksojnë se Qeveria e re duhet t’i anulojë të gjitha ato vendime, për të cilat dyshohet që janë jolegjitime

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe kabineti i tij qeverisës nuk janë ndalur së marri vendime edhe pas dorëheqjes së tij nga posti i shefit të Qeverisë në korrik të vitit 2019. Duke nisur nga emërimet e udhëheqësve të institucioneve e të ndërmarrjeve publike, emërime u bënë edhe nëpër postet diplomatike dhe në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës, pavarësisht që Qeveria nuk gëzonte kompetencë të plotë për emërime në këto pozita, për të cilat u akuzua se qenë edhe politike.

Mirëpo këto vendime, siç është paralajmëruar nga kabineti i ri qeveritar, do të shqyrtohen dhe do të sfidohen një orë e më parë.