Kurti flet në telefon me Chollet, theksi vihet te “zbatimi pa kushte dhe i plotë” i Marrëveshjes Bazë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmë ka pasur një telefonatë me Këshilltarin e Lartë të Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet.

Siç njofton Kryeministria, zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazë me Serbinë dhe situata pas zgjedhjeve në veri, ishin disa nga temat e diskutimit.

“Ata biseduan edhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve. Folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu u diskutua edhe për shpalljen e ankandit të parë për energji solare me kapacitet prej 100 MW, në prezencën edhe të Administratores së USAID, Samantha Power.

“Në lidhje me këtë, këshilltari Chollet tha se ajo ishte ndarë me përshtypjet më të mira dhe e falënderoi kryeministrin për pritjen. Kryeministri u shpreh i nderuar dhe mirënjohës për vizitën e administratores Power dhe për mbështetjen e vazhdueshme të USAID-it dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën”, njoftohet tutje.

Go to TOP