Kurti e përmend Ligjin për Shërbim të Jashtëm, PDK thotë që ai s’është kurrkund

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka paralajmëruar reformë të thellë të brendshme në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më saktësisht në shërbimin diplomatik.

“Ne jemi në proces të bërjes së projektligjit për Shërbimin e Jashtëm i cili me ndryshimet e tij e përcakton kuotën 70/30, ndryshe nga ligji i kaluar që kishte kuotën 50/50. Synimi jonë nuk është ndërrimi ose zëvendësimi i njerëzve, por konsolidimi i sistemit dhe për këtë jemi të vendosur”, tha Kurti të enjten në seancë plenare.

Por, anëtarja e Komisionit Parlamentar për Punë të Jashtme, Ariana Musliu- Shoshi, thotë se projektligji në fjalë ishte në plan që të sillej në Kuvend për diskutim dhe miratim më 31 qershor gjë që nuk ndodhi.

“Kuvendi sipas rregullores së shpejti duhet të shkojë në pushim, prandaj ligji mund të procedohet tek në muajin shtator dhe hyrja e tij në fuqi mund të bëhet tek në muajin tetor”, tha mes tjerash Musliu-Shoshi.

Para dy muajve shefja e diplomacisë kosovare, Donika Gërvalla, shkarkoi 12 ambasadorë të emëruar me çelës politik duke thënë se ky është hapi i parë drejt reformës.

Gërvalla e ka vendosur datën 30 gusht deri kur të liruarit nga detyra do të mund të zëvendësohen me emra të rinj.

Veçse në Komisionin për Diplomaci nuk është dërguar për shqyrtim asnjë emër deri tani.

Kosova ka mbetur pa ambasadorë të plotfuqishëm në disa nga qendrat më të mëdha politike dhe ekonomike të botës si Washingtoni, Brukseli dhe Londra.

Go to TOP