EKONOMI

Kurti: Duhet ta ndihmojmë sektorin privat

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti me studentët e Kolegjit AAB sot ka zhvilluar bashkëbisedim në temën “Sfidat e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës”, ku më këtë rast ai foli për çështje të rëndësishme ekonomike nëpër të cilat po kalon Kosova; si investimet nga vendet e huaja, hapjen e fabrikave të reja që garantojnë punësimin e qytetarëve të Kosovës, modele të reja ekonomike, etj..

Ai në ligjëratën “Sfidat e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, tha se nuk mendon që shteti duhet të jetë dirigjues në ekonomi dhe as në treg, por njëkohësisht nuk mendon që edhe shteti duhet të jetë tërësisht spektator, por ai duhet të jetë akter. Kurti tutje para studentëve tha se as nga natyra, as nga historia e as nga kultura nuk mund të shpjegohet gjendja në të cilën ndodhemi e cili për shumëkënd cilësohet si e pafavorshme.

“Nuk mund të justifikohemi si studentë e as si profesorë e as si qytetar e politikan se fajin për varfërinë dhe papunësinë tonë e kanë kultura, historia apo natyra, asnjëra prej tyre. Kjo ka të bëj kryekëput me modelin ekonomik për të cilin përcaktohesh ti si qytetar”, tha Kurti.  

Ndërsa, tha se për të pasur një shtet e një ekonomi të zhvilluar duhet që të përkrahet sektori privat. Sepse sipas tij sektorët private në Kosovë janë në gjendje jo të mirë.

“Pra një qeveri e ardhshme e Kosovës duhet të jetë në shërbim të rritjes se sektorit privat, sidomos ndërmarrjet e vogla dhe të mesme sepse paga mesatare e sektorin publik ka kaluar shumën e 500 eurove dhe është rritur mbi 100 euro në pesë vitet e fundit, ndërkaq paga mesatare në sektorin privat është rreth 350 euro, kjo është e papranueshme. Ne duhet ta ndihmojmë sektorin privat”, shtoi ai.

Kurti u ndal edhe tek investimet e huaja që po bëhen në Kosovë. Ai tha se Kosova në pjesën e investimeve të huaja lëngon tash e një kohë.

“Unë e kam të qartë se ekonomia jonë lëngon nga mungesa e investimeve, por, njëkohësisht edhe nga keqinvestimet, sepse, mungojnë investime diku e diku tjetër ka investime të panevojshme. Investimet në Ekonomi janë bërë nga gjasat dhe përmasat e keqpërdorimeve të mundshme e jo nga nevoja e qytetarëve dhe çka është e dobishme për ekonominë” përfundoi ai.

Kurti para studentëve të Kolegjit AAB gjithashtu tha se Vetëvendosje ka një program politik por edhe ekonomik zhvillimore dhe i cili e vë theksin tek e ardhmja, me ç’ rast e kaluara shërben si retrovizor, që ta dimë që nga vijmë, në mënyrë që të ecim më mirë dhe më suksesshëm.

Takimi me studentë i kryetarit të Vetëvendosjes përfundoi me një diskutim interaktiv, ku studentët u interesuan për çështje të ndryshme me të cilat ballafaqohet ekonomia e Kosovës. /Kosova.info/