Kosova

Kurti: Do t’ia kërkojmë borxhin Serbisë në çdo takim me ndërkombëtarët

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është zotuar se  nëse vjen në pushtet, “do ta nxjerrë Kosovën nga pazaret me Serbinë” si dhe do t’ia kërkojë borxhin Serbisë në çdo takim me ndërkombëtarët.

“Ne jemi të vendosur që ta nxjerrim Kosovën edhe nga korrupsioni i pushteteve të pasluftës, por edhe nga pazaret me Serbinë, e cila i ka shumë borxh popullit të Kosovës edhe gjatë okupimit, edhe gjatë luftës. Serbia ka kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid, andaj ne do të përfaqësojmë me dinjitet Kosovën dhe në çdo takim ndërkombëtar apo të ndërmjetësuar nga ndërkombëtarët do t’ia kërkojmë borxhin Serbisë”, ka thënë Kurti.

Këto komente ai i bëri pas homazheve tek varri i aktivistit Arben Xheladini, në 14-vjetorin e demonstratës, ku pos Xheladinit, i vrarë mbeti edhe Mon Balaj.