Kurti: Deklarimet luftënxitëse të Vuçiqit duhet të dënohen ashpër nga SHBA-ja dhe BE-ja

Në një kohë të tensionuar në Ballkanin Perëndimor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dalë hapur kundër deklaratave të fundit kërcënuese të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Në një përgjigje për Telegrafin, Kurti ka potencuar se retorika e Vuçiq është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe një reflektim i qartë i qëndrimit të Serbisë ndaj procesit të paqes dhe marrëdhënieve me Kosovën.

“Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit. Kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike”, thotë Kurti.

Kreu i Qeverisë ka theksuar gjithashtu se Serbia vazhdon të deklarojë publikisht mosnjohjen e integritetit territorial dhe sovranitetit të Kosovës, një qëndrim që u bë veçanërisht i dukshëm më 26 tetor gjatë takimeve me liderë të Bashkimit Evropian në Bruksel ku Vuçiq refuzoi sërish nënshkrimin e marrëveshjeve.

Pavarësisht se kërcënimet dhe retorika e Serbisë ndaj Kosovës nuk janë asgjë e re, kryeministri Kurti ka bërë thirrje që ato të mos konsiderohen si diçka e rëndomtë ose të lejohen të bëhen pjesë e retorikës së përditshme.

Ai ka bërë apel për një vigjilencë të lartë dhe dënim të ashpër nga komuniteti ndërkombëtar, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara, Bashkimin Evropian, Mbretërinë e Bashkuar dhe të tjerët.

Kurti ka përshkruar Vuçiqin si “një peng i së kaluarës dhe të dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohën mbrapa,” dhe paralajmëron se “shpresat e rrezikshme në metodat e së kaluarës si zgjidhje për të ardhmen” nuk duhet të merren lehtë.

Go to TOP