Kosova

Kurti bën homazhe te shtatorja e “kolaboracionistit” në Istog

Kryetari i Vetëvendosjes dhe kandidati për kryeministër i kësaj partie Albin Kurti, dje ka bërë homazhe tek shtatorja e presidentit historik Ibrahim Rugova në Istog, të cilin VV’ja e quante “kolaboracionist” në komunikatën e fshirë nga uebfaqja e kësaj partie.

Albin Kurti pas 20 vjetësh çlirim kishte bërë homazhe tek varri i presidentit Rugova për herë të parë më 17 shkurt të vitit të kaluar në 12-vjetorin e pavarësisë si shef i qeverisë.

Kreu i VV’së homazhe tek varri i Rugovës ka bërë edhe si kryetar i partisë para një muaji më 21 janar të këtij viti së bashku me Vjosa Osmanin në përvjetorin e 15-të të vdekjes së ish-presidentit.

Albin Kurti dhe numri dy në listën e VV’së, Vjosa Osmani dje kanë vizituar Istogun, dhe kanë bërë nderime tek shtatorja e presidentit Rugova që u zbulua për nder të ditëlindjes së 76-të të tij më 2 dhjetor 2020.

Tek fotografitë e postuara në profilet e Kurtit dhe Osmanit në Facebook bien në sy edhe dallimet në fotografitë e tyre të realizuara tek shtatorja e Rugovës.

Kurti është përkujdesur që ai të mos duket duke bërë homazhe pranë shtatores së ish-presidentit nëpër fotografitë e postuara, kurse Osmani ka postuar fotografinë ku ajo dhe Kurti bëjnë homazhe tek shtatorja.

Në parakalimet e tyre nëpër qytetet e Kosovës, janë shpeshtuar flamujt dardanë dhe ata të Kosovës, flamuj të cilët Kurti i ka kundërshtuar, ndërkaq aleatja e tij në këto zgjedhje, Vjosa Osmani vazhdimisht është shfaqur me maskën që mban simbolin e flamurit të Kosovës.

Vizitat e Kurtit dhe homazhet për Rugovën janë parë si ndryshim radikal i qëndrimit, meqenëse në disa komunikata të VV’së e kishin quajtur ish-presidentin si “kolaboracionist”. Kjo komunikatë e Lëvizjes Vetëvendosje ‘Gjaku i humbur’, pas riaktualizimit në medie, në të cilin quhej kolaboracionist ish-presidenti Ibrahim Rugova, është bërë e paqasshme në faqen zyrtare të subjektit politik.

Nëse tentohet të klikohet në linkun që deri më tani komunikata ka qenë e qasshme, ajo nuk do jetë në dispozicion. Edhe në rast se klikohet edhe pas kërkimit në motorin e kërkimit ‘Google’, “Faqja s’u gjet” është mesazhi që përcjellet nga platforma.

Në këtë komunikatë, Lëvizja Vetëvendosje e akuzonte ish-presidentit për prezencën në varrimin e ish-presidentit tjetër, Ibrahim Rugova, për të cilin thonin se i ka bërë dëm politik vendit.

“Në varrimin e Rugovës nuk ishte familja Jashari, nuk ishte Lëvizja VETËVENDOSJE! dhe nuk ishin edhe shumë bashkëluftëtarë e atdhetarë të cilët e dinin dëmin politik që Kosovës i bëri Rugova e rugovizmi. Por ti ishe aty dhe nuk të vinte fare turp sepse tani më nuk dalloheshe nga ai. Jo vetëm që flisje si ai, por tani ishe mësuar që edhe të silleshe si ai. Të ka mbetur vetëm edhe gur të fillosh të shpërndash”, thuhej në të.

Ndër të tjera, në komunikatë subjekti politik bënin vija ndarëse mes Thaçit dhe Rugovës, duke iu referuar ish-presidentit nga radhët e LDK’së si kolaboracionist.

“Ti edhe Ibrahim Rugova e keni vetëm një dallim, një dallim të vogël. Ai ishte kolaboracionist sepse nuk ishte betuar asnjëherë për çlirimin e Kosovës, kurse ti je tradhëtar i kombit sepse e ke shkelur betimin e dhënë. Dallimi tjetër është se ai nuk mund të na mashtrojë më, e ti potencialisht e ke ende një mundësi të tillë”, shkruhet tutje në komunikatë./Express/