Kurti: Badivuku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë muzikore të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka vizituar Pranvera Badivukun, njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës.

Ai është shprehur i gëzuar, që siç u shpreh, me gjithë moshën, Badivukun ishte mirë me shëndet dhe e gëzueshme.

“Pasditen e së dielës e kaluam me Pranvera Badivukun, njërën ndër kompozitoret e para të Kosovës. U gëzova shumë që me gjithë moshën, ishte mirë me shëndet dhe e gëzueshme. Për më tepër, na tregoi që nuk i mungon as vullneti për të krijuar. Përherë e këndshme në bisedë dhe mirëkuptuese në kritikë muzikore, Pranvera me shumë emocion fliste për dashurinë dhe disiplinën në punë, si në shkollë ashtu edhe në Radio Televizionin e Prishtinës. Krijimet e saj vazhdojnë t’i qëndrojnë kohës”, ka shkruar Kurti.

Ai përmes një postimi në Facebook tha se Pranvera Badivuku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë muzikore të Kosovës.

“Pranvera Badivuku ka lënë gjurmë të pashlyeshme në trashëgiminë muzikore të Kosovës. Kompozimet e saj janë shpërblyer me pesë “Okarina të arta” në “Akordet e Kosovës” dhe shumë çmime e pjesëmarrje në festivale brenda dhe jashtë vendit. Krijimet e saj janë interpretuar nga emra të mëdhenj të skenës sonë muzikore, nga Nexhmije Pagarusha, Esat Bicurri, Liljana Çavolli, Shpresa Gashi, Bashkim Paçuku, Sebahate Bërlajolli e deri te këngëtarët e brezave më të ri”.

“Vepra e saj “E kujtoj atë takim” e krijuar fiks para 50 vitesh, do të vazhdojë të mbetet himn i këngës shqipe. Edhe takimin e bisedën tonë shumë të ngrohtë sot do t’i kujtojmë përherë. Nga banesa e saj u larguam me urimin për shëndet e jetë të gjatë”, shkroi tutje Kurti. /Kosova.info/

Go to TOP