Kombëtare

Kur Edi Rama thoshte se Donald Trump është i rrezikshëm për shqiptarët (Video)

Gjatë zgjedhjeve presidenciale në Amerikë, shqiptarët me shumicë e përkrahnin kandidaten demokrate Hillary Clinton kundër Donald Trumpit që po garonte në emër të republikanëve. Asnjë politikan nuk kishte shprehur më eksplicit mendimin e tij për garën në SHBA’në, përveç kryeministrit Edi Rama. 

Rama thoshte se nuk nguron të shpreh kudo mendimin e tij për Trumpin. E shihte presidentin e tanishëm amerikan si rrezik të madh për Shtetet e Bashkuara, ndërsa po shqetësohej edhe për raportet e shqiptarëve me Amerikën, nëse Trumpi bëhej President. 

“Unë e kam thënë hapur atë që e mendoj për Donald Trumpin dhe nuk e kam fare problem që ta përsëris as këtu, as kudo që të jetë, as shqip e as anglisht, që Donald Trumpi është kërcënim për Amerikën dhe nuk diskutohet që është kërcënim për raportet shqiptaro – amerikane. Që i bie, mos e dhëntë Zoti që amerikanët ta zgjedhin për President. Do të ishte një president që i bën dëmë të mëdha amerikës, dhe do të ishte një kërcënim real për raportet shqiptare me Amerikën”, kishte thënë Rama në një intervistë dhënë Baton Haxhiut. 

Videon ku Rama ishte shprehur kësisoj e ka shpërndarë në Facebook, kryetari i Lëvizjës Socialiste për Integrim.

Pas kësaj deklarate të Ramës, zgjedhjet në SHBA përfunduan, e për befasinë e të gjithëve e edhe të Ramës, Trump u zgjodh President.

Tash Rama mbante qëndrim tjetër për Trumpin dhe nga ankesat se Trump ishte një kërcënim, tani po e uronte përzemërisisht presidentin amerikan. 

Urimin për marrjen e postit të Presidentit në janar të 2017’ës, Trump ia kishte kthyer Ramës pas pak muajve. Aty i kishte thënë se e vlerëson mendimin dhe mbështetjen që Rama i kishte dhënë në urim. 

“Unë e mirëpres ngrohtësisht mesazhin tuaj të urimit për betimin tim si President i Shteteve të Bashkuara dhe e vlerësoj lart mendimin, mbështetjen e inkurajimin tuaj”, shkruante Trump. /Express/