OPINION

Kur do të zgjidhet Qeveria Hoti?

Gjykata Kushtetuese me të drejtë i ngriu të gjitha efektet, procedurat dhe veprimet e vendimet që dalin dhe që ndërlidhen me Dekretin e Presidentit për emërimin e Mandatarit për formimin e Qeverisë me Kryeministër nga LDK.- Ky vendim i krijon parakushtet që Gjykata në një afat të arsyeshëm kohor të interpretojë Kushtetutën në lidhje me Dekretin e Presidentit

Shkruan: Ramush TAHIRI

E gjithë rruga për krijimin e Qeverisë me votë në Kuvendin e Kosovës ka marr drejtim institucional sidomos pas dërgimit të lëndës për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese. Është përcaktim legalist që të gjitha palët, pra Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike dhe të gjitha partitë parlamentare, deputetët,Kuvendi, Presidenti, Kryeministri janë pajtuar nën autoritetin e Gjykatës Kushtetuese si të vetmen për interpretimet e Kushtetutës së Republikës së Kosovës aktvendimet e së cilës palët janë pajtuar se do t’i respektojnë si një zgjidhje të plotë dhe të drejtë.

Kosova e pati Qeverinë Kurti të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të 6 tetorit të vitit 2019 si një qeveri shprese e ndryshimi duke marrë parasysh faktin se u krijua nga koalicioni i madh i partisë së parë fituese Lëvizjes Vetëvendosje dhe i partisë së dytë Lidhjes Demokratike të Kosovës, që në mandatin e kaluar ishin parti opozitare, por që do të shënohet si Qeveri me mandatin më të shkurtë në histori të Kosovës prej vetëm 52 ditë në pushtet e që nuk mbeti pa u theksuar as nga Kryeministri Kurti i cili deputetëve iu përgjërua që t’i kishit lënë të paktën njëqind ditë me qeverisë.

Shkaqet e rënies së kësaj Qeverie me votimin nga më shumë se dy të tretat e votave të Kuvendit mund të jenë të ndryshëm, por shkas ishte veprimi i Kryeministrit për shkarkimin e Ministrit të Punëve të Brendshme, që ishte edhe nënkryetar autoritativ i LDK, e më vonë edhe me shkarkimin e mesnatës së zëvendës kryeministrit Hoti për fjalën e tij në mbledhjen e Kuvendit, në të cilën pa pasoja diskutoi por tash me kritika kundër partnerit të koalicionit LDK zëvendëskryeministri tjetër Haki Abazi. Këtë goditje e ofendim publik të bërë nga Vetëvendosje e lideri i saj Albin Kurti, ishte shumë normale që LDK nuk mund ta tejkalonte heshtazi dhe në të drejtën e saj ishte ngritja e mocionit të votëbesimit për Qeverinë në Kuvend dhe shkarkimi i saj si penalizim për shkeljen e marrëveshjes së koalicioni, dhe për qëndrim dhe veprim arbitrar të Kryeministrit Kurti karshi partnerit të koalicionit LDK, që kishte vetëm një deputet më pak në Kuvend por edhe në vendimet e Qeverisë pa u pyetur e votuar fare nga ministrat e LDK në Qeveri.

Pas shkarkimit të Qeverisë Kurti, Lidhja Demokratike morri vendim që ministrat e saj të mos tërhiqen por edhe mos ti zëvendësoj ata të cilët u shkarkuan nga Kryeministri. Kjo ndihmoi që në kohë pandemie puna të vazhdoj normalisht. Lëvizja Vetëvendosje, pasi që tash më nuk është faktor Qeveria, kërkoi që vendi të shkojë detyrimisht në zgjedhje të reja parlamentare të jashtëzakonshme, por pas kalimit të gjendjes së pandemisë, e që nuk dihet a do të krijohen kushtet gjatë këtij viti, duke kërkuar gjithashtu që Qeveria Kurti ta udhëheqë vendin deri pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve, e këtë qëndrim nuk e kishin asnjëra prej partive të tjera parlamentare të cilat kërkonin që vendi të mos shkojë në zgjedhje por që të zgjidhet një Qeveri e re si rezultat i shumicës parlamentare me votim në Kuvendin e Kosovës.

Në rrethanat e krijuara, Presidenti i Republikës mbetet i vetmi institucion veprues në zgjidhjen e kësaj çështjeje i cili ia dha mandatin për zgjedhjen e Mandatarit për formimin e Qeverisë Lëvizjes Vetëvendosje si partia e parë fituese, edhe pse njohës të çështjeve juridike shpjegonin se këtë mandat Lëvizja Vetëvendosje e ka konsumuar me zgjedhjen e Albin Kurtit dhe se ky mandat partisë së parë i takon me detyrim prioriteti vetëm herën e parë pas zgjedhjeve dhe jo detyrimisht sa herë rrëzohet e zgjidhet ndonjë Qeveri e re në Parlament.

Vetëvendosje nuk e dërgoi emrin e Mandatarit pas zgjedhjeve për katër muaj pothuajse ndërsa tash pas shkarkimit për një periudhë njëzet ditëshe nga marrja e mandatit nga Presidenti i cili me një shkresë zyrtare e njoftoi këtë subjekt politik se konstaton që nuk e ka shfrytëzuar të drejtën e dërgimit për dekretim, te Presidenti, emrin e Mandatarit për formimin e Qeverisë. Me gjithë insistimin nga Vetëvendosje se kjo e drejtë i takon vetëm partisë së parë e askujt tjetër dhe me pretendimin se pa partinë e parë asnjëherë nuk mund të formohet Qeveri e Kosovës, dhe se kur të kalojë gjendja e pandemisë do të dërgohet emri, Presidenti i vendit mandatin për formimin e Qeverisë ia dha Lidhjes Demokratike të Kosovës e cila për mandatar propozoi Avdullah Hotin, ndërsa tek kur u bë marrëveshja e koalicionit që do të ketë shumicën e nevojshme në Kuvend dhe kur Avdulla Hoti ia dëshmoi me 61 nënshkrime të deputetëve këtë shumicë, tek atëherë Presidenti i Republikës e dekretoi atë si Mandatar për formimin e Qeverisë e cila do të votohej në mbledhjen plenare të Kuvendit e cila u thirr për ditën e shtunë më 2 maj 2020 si seancë e jashtëzakonshme e mbështetur nga 61 deputet me listën e nënshkrimeve.

Ky dekret ishte nxitja që Lëvizja Vetëvendosje nëpërmjet nënshkrimeve të 30 deputetëve ta dërgoj një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese, në të cilën kërkoi vlerësimin e Dekretit të Presidentit: a është i përputhshëm me Kushtetutën e Kosovës si dhe kërkoi masë të përkohshme të pezullimit të të gjitha veprimeve deri në nxjerrjen e Aktvendimit të Gjykatës për këtë çështje.

 Ashtu si edhe çdo gjykate tjetër, edhe Gjykata Kushtetuese pasi që e ka pranuar lëndën, dhe pasi që i ka caktuar afatin e paraqitjes së meritave, argumenteve dhe arsyetimeve nga secila palë, pra nga Kryeministri, Presidenti, Kryetarja e Kuvendit deputetët e Kuvendit, Vetëvendosje e Lidhja Demokratike etj. Për të siguruar kushtet e paanshme të vendimmarrjes miratoi pushimin e të gjitha veprimeve që dalin nga Dekreti i Presidentit, në afatin deri më 29 maj, për pasoj të së cilës shtyhet mbledhja e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë Hoti, ndërsa Gjykata pritet të marr Aktvendimin të cilin të gjitha palët janë zotuar se do ta respektojnë dhe kështu çështja do të zgjidhet në rrugë institucionale dhe pa tensione me pranim dorëzim eventual të detyrave.

Masa e përkohshme e pezullimit konsiderohet e drejtë sepse derisa është në procedurë të shqyrtimit, nuk është legale e as praktikë e mirë, vënia para aktit të kryer në këtë rast me zgjedhjen e Qeverisë së re. Po të kishte ndodhë kjo në mungesë mase të përkohshme do të kishim një situatë absurde të dy Qeverive në të njëjtën kohë, me faktin që Qeveria Kurti edhe pse do të kishte ndenjur në zyrat e deritashme, ministrat e LDK tash automatikisht do të kishin dal në Qeverinë e Kryeministrit Avdullah Hoti, e gjithashtu edhe të minoriteteve duke e lënë Qeverinë Kurti jashtë kapaciteteve me simbolikën që Ministri i Punëve të Brendshme Agim Veliu do ta kishte lënë zëvendësministrin Sveçla jashtë çfarëdo kompetence. Fundja as Lidhja Demokratike e as partitë e tjera të koalicionit asnjëherë nuk e dëshiruan ta kontrabandojnë formimin e Qeverisë, sikur i akuzuan nga Vetëvendosje se po e shfrytëzojnë përveç pandemisë edhe ditët e pushimit dhe orarin e vonë, sepse është e ditur se gjykata ashtu si edhe disa institucione të shtetit kujdestarojnë vazhdimisht dhe nuk janë në pushim për shqyrtime në kuadër të domenit të çështjeve jo vetëm urgjent.

Simptomatike ishte konferenca e paralajmëruar dhe mandej e shtyrë pa afat e Kryetares së Kuvendit të Kosovës. Ishte paralajmëruar se do të jepte dorëheqje në shenjë mospajtimi, apo se do të deklaronte vendimin se Seancën e Kuvendit nuk do thirrtë përderisa Gjykata Kushtetuese të mos nxirrte një Aktvendim për çështjen. Kishte spekulime se zonja Osmani, e cila tash vetëm formalisht ka mbetur në LDK, mund ta deklaronte kalimin në Lëvizjen Vetëvendosje, por njohësit thonë se këtë s ‘kishte pse ta bënte në konferencë të veçanta për medie. Si do që të jetë kjo, tash u shty për një muaj kur edhe pritet Aktgjykimi i Kushtetueses. Edhe pse zonja Osmani është njohëse shumë e mirë e ligjshmërisë dhe e kushtetutshmërisë, ka zëra që thonë se ajo ka dashur të prodhojë krizë, në mënyrë që Kuvendi të mos mund të mblidhet, dhe për pasojë Qeveria të mos zgjidhet, kështu që Qeveria Kurti do të mbetet detyrimisht në pushtet, përkundër që ka humbur plotësisht legjitimitetin dhe në një legalitet të dyshimtë do të vazhdonte deri në pranverën e ardhshme kur edhe janë zgjedhjet për President të Kosovës, i cili zgjidhet me dy të tretat ose me shumicën e votave të të gjithë deputetëve në Kuvend. Llogaritej se nëse dorëhiqet tash Kryetarja e Kuvendit, Vetëvendosje si parti e parë, do të vononte në propozimin e kandidatit të saj për tu zgjedhur Kryekuvendar, ose nëse zonja Osmani refuzon me e thirr Seancën plenare, do të vihej në dyshim thirrja e mbajtja e kësaj seance e udhëheqja, nga anëtarët e tjerë të Kryesisë ose nga vet deputetët, kinse në mungesë të qartësive të procedurave.

Është e sigurt që Gjykata Kushtetuese do të marr një vendim pas shqyrtimit të lëndës dhe të materialeve të dërguara nga palët. Ky vendim mund të jetë cilido nga tri të mundshëm por që do të prodhojë efekte të menjëhershme, dhe që Vetëvendosja nuk do të kundërshtonte ashtu si edhe tash kur është aprovuar nga Gjykata kërkesa e saj për marrjen e masës së përkohshme të pezullimit të veprimeve të palëve.

Gjykata mund të konstatojë se kjo çështje tashmë është shqyrtuar një herë në vitin 2014 dhe se për të njëjtët lëndë, Gjykata nuk vendos dy herë edhe për faktin se nuk ka asnjë rrethanë të re.

Gjykata do të konstatonte se Dekreti për emërimin e Avdullah Hotit si Mandatar për formimin e Qeverisë është në vijë të procedurave dhe në përputhshmëri me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe me kompetencat e Presidentit të parapara për fushëveprimin e tij për mbarvajtjen e punës së institucioneve dhe në dhënien e mandatit dhe emërimin e mandatarit për formimin e Qeverisë, pas zgjedhjeve, dhe në periudhën ndërmjet zgjedhjeve parlamentare.

Në këtë rast, Qeveria Hoti do të dilte për votim në mbledhjen e parë të Kuvendit dhe do të zgjidhej me së paku 63 vota, gjykuar sipas numrit të deputetëve të partive që e themeluan koalicionin qeverisës. Vetëvendosje s mundet atëherë të thirret në një Gjykatë të kapur e politike, si akuzonte herë pas here, sepse vlerësimin për gjykatën nuk mund ta bëjë, varësisht se një vendim a i konvenon interesave të saja si parti ose jo, por do të reflektonte në paanësinë e Gjykatës dhe interesave të shtetit.

Gjykata mund të merr vendim që Dekreti i Presidentit për emërimin e Mandatarit, Avdullah Hoti nuk është në harmoni me respektimin e procedurave, dhe nuk është i përpushëm me frymën dhe me germën e Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në këtë rast Qeveria Kurti do të vazhdonte punën lirshëm pa asnjë mundësi që të brengosej për mandatin e saj, sepse nuk mund të shkarkohet edhe njëherë nga Kuvendi i Kosovës. Ky variant për konsideratën time është i pamundshëm të ndodhë dhe të funksionalizohet, sepse do të kishim një Qeveri të shkarkuar, të dorëhequr, pa legjitimitet dhe pa legalitet edhe të paraqesë e të dorëzoj çfarëdo ligji në Kuvend, do të kishim të pamundur kontrollin parlamentar të Qeverisë, edhe të pamundur punën e Komisioneve parlamentare, Gjithashtu kjo Qeveri që ka vetëm një të katërtën e përkrahjes në Kuvend do të ishte krejt e pa zotnueshme t’a prezantoj Kosovën si subjekt ndërkombëtar në marrëdhëniet ndërkombëtare, bilaterale dhe multilaterale.

Dhënia të drejtë, pretendimit të Lëvizjes Vetëvendosje, se vetëm subjekti i parë fitues e ka të drejtën gjithherë e në çdo rast të mandatit dhe të emërimit të Mandatarit për formimin e Qeverisë, pa marr parasysh a do ti kishte partia fituese 20, 30 apo 40 përqind të vendeve në Parlament, do të kundërshtonte parimin themelor të republikës, se gjithmonë e në secilin rast, Qeveria krijohet nga shumica parlamentare në Kuvend, si dhe do të humbiste sensin e garës për Kuvend në zgjedhjet e përgjithshme dhe të destinimit të vullnetit të qytetarëve nëpërmjet votës për t’ i zgjedhë ata, të cilët i përfaqësojnë interesat e qytetarëve. Institucionalizimi i të drejtës ekskluzive të partisë së parë me e formua Qeverinë, apo si thotë Vetëvendosje, që pa subjektin politik fitues të zgjedhjeve nuk mund të krijohet Qeveria, praktikisht do të thoshte që një partie t ‘i jepet e drejta e bllokimit të Formimit të Qeverisë kundër gjithë të tjerëve edhe përkundër faktit që subjektet e tjera mund të kenë më tepër se dy të tretat e votave në Kuvend, gjë që është e pashembullt në Republikat parlamentare dhe do të tëhuajsonte në autokraci partiake parlamentarizmin.

Pezullimi i përkohshëm deri më 29 maj është kohë që Gjykata sipas rregullores i ka dhënë vetes sipas, e ka mundur ta zbresë këtë afat deri në 15 ditë ose ta zgjasë deri në tre muaj, pa paragjykuar pranueshmërinë ose meritat e kërkesës, por që ndikon në kohezion ose në rritje të divergjencave të partive politike, rreth çështjeve konkrete, por edhe rreth çështjeve parimore dhe të politikave shtetërore, që edhe mund të qojnë vendin në zgjedhje me gjithë koalicionin e arritur dhe me gjithë kohën e shkurtër ndërmjet dy zgjedhjeve parlamentare. Është e kuptueshme që Lëvizja Vetëvendosje po krijon opinion për zgjedhje, si vlerësohet me atmosferën e zemërimit e mosdurimit, duke llogaritur si thonë në më shumë se pesëdhjetë për qind të votave dhe të krijimit të një Qeverie të modelit si në Shqipëri për nga fuqia e elektoratit dhe e legjitimitetit. Të gjitha partitë e tjera llogarisin në stabilizim të votuesve të tyre dhe të militantëve politik e partiak.

Garë e ashpër do të zhvillohej ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, për pak a shumë të njëjtin elektorat, duke e intriguar  edhe Presidentin e Serbisë të merret me parashikim, duke dhënë vlerësimin se Vetëvendosje tash i ka 37 për qind të votuesve ndërsa Lidhja Demokratike ka rënë në 21 për qind…Nëse përafërsisht është kështu atëherë do të kemi rënie ose zhbërje të disa partive të vogla, edhe me ndikim regjional brenda vendit, që tash e disa mandate sillen ndërmjet partive të mëdha, si patëm ma herët me partinë ORA, LDD, AD duke bërë gjithnjë e më të mundshme skenën politike e shoqërore të ndarë në dy blloqe më të mëdha, Vetëvendosja në njërën anë, dhe PDK e LDK e të tjerët në anën tjetër, gjë që në një formë e dëshmuan zgjedhjet komunale në disa pjesë të Kosovës.

© Ky vështrim është shkruar ekskluzivisht për Kosova.info

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.