Kosova

Kupina dënon sulmin ndaj Duriqit: Kërkojmë që rasti të zbardhet sa më parë

Bekim Kupina, këshilltari i presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, e ka dënuar sulmin ndaj gazetarit Visar Duriqi.

Kupina nëpërmjet një reagimi ka ftuar organet relevante që ta ndriçojnë këtë rast.

“Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është edhe sulm ndaj vlerave të cilat i kemi ndërtuar si shoqëri, në cilën secili mund të shprehet lirshëm, të veprojë dhe të mendojë ndryshe”.

Reagimi i plotë i Kupinës:

Sulmet ndaj gazetarëve janë cenim flagrant i lirisë së shprehjes.

Ky është edhe njëri nga kriteret mbi të cilin janë ndërtuar themelet e shtetit të Kosovës. Sulmi ndaj gazetarit Visar Duriqi është edhe sulm ndaj vlerave të cilat i kemi ndërtuar si shoqëri, në cilën secili mund të shprehet lirshëm, të veprojë dhe të mendojë ndryshe.

Organet e rendit sa më parë duhet t’i identifikojnë autorët dhe të njëjtit duhet të përballen me drejtësinë.

Në shoqëritë demokratike, secili e ka punën e vetë. Gazetarët janë vetëm bartës të realitetit, ndaj grushtet kundrejt tyre janë grushta ndaj gjithë shoqërisë që mëton të zhvillohet në një ambient demokratik.

Gazetarit Duriqi i urojmë shërim të shpejtë dhe kërkojmë që rasti të zbardhet sa më parë!