SPORT

Kundërshtari i ardhshëm i Gjilanit, nivel krejt tjetër prej atij të së premtes

Gjilani do të ketë punë me një klub në nivel krejtësisht tjetër për dallim nga ai me të cilin luajti në ndeshjen parakualifikuese për Ligën e Evropës. Pas fitores ndaj Tre Pennes në San Marino, nënkampioni kosovar do të përballet me gjigantin qipriot, APOEL-in në fazën e parë kualifikuese.

APOEL-i është nivel shumë më i lartë se Tre Pennes. APOEL-i ka përfunduar në vendin e tretë në kampionatin e Qipros. APOEL-i ka 28 tituj të kampionit të Qipros dhe 21 kupa të këtij vendi. Jo shumë kohë më parë, në edicionin 2011/2012, ka luajtur në fazën grupore të Ligës së Kampionëve. Madje arriti edhe në çerekfinale.

Në fazën grupore të Championsit ka luajtur edhe në edicionin 2014/15. Në Ligën e Evropës ka luajtur në fazën grupore së fundi në edicionin 2016/17, kur arriti deri në një të tetën e finales. Pra rundet e para kualifikuese APOEL-i i kalon pa telashe.

Për vështirësitë që do të kenë në atë përballje e ka pranuar edhe trajneri i Gjilanit, Gentan Mezani. Në Interaktiv të KTV-së, të premten Mezani ka thënë se niveli i Gjilanit me atë të APOEL-it janë larg.

“Unë dua të qëndroj me këmbë në tokë. Niveli i APOEL-it dhe ai i joni janë ende larg. Por shpresoj që të bëjmë një lojë të bukur”, është shprehur ai.

Ndeshja Gjilani – APOEL do të luhet më 27 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.