SPORT

Kuka: Federatat sportive në vend janë mbështetur për muri në mungesë financash

Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka, ka thënë se në tremujorin e fundit federatat sportive në vend janë mbështetur për muri për shkak të mungesës së financave.

Teksa ka folur për mikpritjen që po i bëhet kombëtares angleze në futboll për ndeshjen e së dielës, Kuka ka thënë se sporti po i jep energji vendit, por federatat, sipas tij, janë në gjendje alarmante.

“Krejt Kosova po vlon në prag të ndeshjes me Anglinë… Spektakël i madh për vendin tonë me pas mysafir një ekip Kulminant nga një vend mik! Mikpritja tregon virtytet tona si popull dhe kjo shpresoj të ruhet gjithmonë. Por në fushë dhashtë Zoti 5 copa Anglisë. E si gjithmonë sporti po i jep energji vendit tonë por Sporti gjegjësisht federatat janë mbet pa asnjë financim dhe tremujorëshi i fundit i vitit federatat i ka mbështet për muri me ja qit çelësin e me i ndal aktivitetet krejt!!” ka shkruar ai në Facebook.

Sipas Kukës, federatat kanë zgjedhur rrugë të keqe për t’i shprehur shqetësimet. Ai ka ftuar që Komiteti Olimpik bashkë me federatat të mbajnë takim urgjent për këtë çështje.

“E federatat kanë zgjedh rrugën ma të keqe që vetëm nëpër kafe t’i shprehin shqetësimet eventualisht me ndonjë e-mail duke mos ngrit zanin për gjendjen alarmante. Komiteti Olimpik bashkë me federatat një takim urgjent për këtë çështje!!” ka shtuar Kuka në postimin e tij.

Ai ka mbyllur postimin duke uruar sukses për kombëtaren e Kosovës në futboll.

Shfaq më shumë