
BE do të aplikojë një certifikatë për vaksinimin, por kjo fillimisht do të vlejë si dokument mjekësor. Se si mund të kushtëzohen avantazhe për lirinë e lëvizjes përmes saj, mbetet të vendoset në muajt e ardhshëm.
Në një video-samit krerët e vendeve të BE-së u konsultuan lidhur me krizën e koronavirusit dhe koordinimin e masave për menaxhimin e saj. Në takim merrte pjesë edhe kancelarja Merkel.
Parimisht u pranua ideja për aplikimin e një certifikate vaksinimi. Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, që drejtoi video- konferencën të enjten (21.01), tha se megjithatë BE mbetet e „rezervuar” sa u përket avantazheve që mund të mundësohen nga certifikata e vaksinimit lidhur me udhëtimin.
Udhëheqësit e BE-së e diskutuan idenë e përdorimit të certifikatave të vaksinës si një formë pasaporte udhëtimi, por propozimi është ende në fazat e tij të hershme. Gjatë muajve të ardhshëm mund të vendoset konkretisht nëse ky dokument do ta lehtësojë lëvizjen e lirë në kushtet e pandemisë.