Bota

Kubanët thonë se dy ilaçe të prodhuara në vendin e tyre, kanë dhënë rezultate pozitive në luftë kundër Covid-19

Vendi i drejtuar nga komunistët, Kuba, ka thënë këtë javë se përdorimi i dy ilaçeve të prodhuara nga industria bioteknologjike e këtij vendi, ka zvogëluar hiper-inflamacionin te pacientët e sëmurë rëndë me COVID – 19 dhe kështu ka frenuar ndjeshëm numrin e vdekjeve të lidhura me koronavirusin.

Autoritetet shëndetësore kanë raportuar vetëm dy raste të vdekjes të lidhura me koronavirus në nëntë ditët e kaluara, ndërsa janë më shumë se 200 raste aktive në ishull. Kjo vlerësohet shenjë se autoritetet mund të kenë në kontroll përhapjen.

Qeveria, që shpreson të rrisë eksportin e produkteve farmaceutike, ka provuar ilaçe të ndryshme që prodhohen në Kubë për të ndihmuar në parandalimin e infeksionit me koronavirus si dhe trajtimin e sëmundjes.

Madje ia ka atribuuar zvogëlimin e numrit të rasteve me fatalitet përdorimit të dy barnave që vlerësohet se kanë ndihmuar për të qetësuar “stuhinë e citokinës”, një reaksion i rrezikshëm nga sistemi imunitar, që sulmon indet e shëndetshme si dhe virusin pushtues.

Njëri ilaç është “itolizumab”, një antitrup monoklonal i prodhuar në Kubë dhe vende tjera. Tjetri është një peptid që Kuba thotë se industria e saj e ka zbuluar dhe është testuar për artritin reumatoid.

“Rreth 80 për qind të pacientëve që përfundojnë në gjendje kritike po vdesin. Në Kubë, me përdorimin e këtyre ilaçeve, 80 për qind e atyre që përfundojnë në gjendje kritike apo serioze, po shpëtojnë”, ka thënë presidenti Miguel Diaz Canel, raporton Reuters.

Shkencëtarët thonë se studime të mëdha duhet të bëhen për të vlerësuar sigurinë dhe efikasitetin e ilaçeve në fjalë, për trajtimin e COVID-19.

Por trajtimi eksperimental i Kubës ka ndihmuar që përqindja e rasteve me vdekje të jetë 4,2 për qind, krahasuar me përqindjen regjionale dhe globale që është 5,9 për qind, përkatësisht 6,6 për qind, kanë thënë autoritetet.

Në total në Kubë janë raportuar 1916 raste dhe 81 të vdekur. Ky vend ka rreth 11 milionë banorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.