Bota

Kthehen tensionet, FSB-ja ruse arreston diplomatin ukrainas në Shën Petersburg

Shërbimi sekret rus, FSB, e ka ndaluar për një kohë të shkurtër një diplomat ukrainas në Shën Petersburg, tha të shtunën Ministria e Jashtme e Ukrainës. Kjo është masa më e re në vargun e tensioneve mes dy vendeve të Evropës Lindore.

Agjencia Interfax më herët raportoi se FSB ka thënë se Oleksandr Sosoniuk është dërguar në mbajtje, kur u përpoq të merrte të dhëna të klasifikuara nga bazat e të dhënave të organeve ruse për sundimin e ligjit gjatë një takimi me një qytetar rus.

“Ky aktivitet është në shpërputhje me statusin e punonjësit diplomatik dhe është armiqësor ndaj Federatës Ruse. Diplomati i huaj do të trajtohet në përputhje me ligjin ndërkombëtar”, citohet të ketë thënë Shërbimi Federal i Sigurisë.

Ministria e Jashtme e Ukrainës tha se Sosoniuk u mbajt në ndalim për disa orë, por tashmë është kthyer në konsullatën e vendit të tij në qytetin perëndimor rus, Shën Petersburg, shkruan Reuters.

“Pala ukrainase së shpejti do të vendosë se si do t’i përgjigjet këtij provokimi, duke e marrë parasysh praktikën e tanishme”, tha Ministria e Jashtme e Ukrainës për ndalimin e diplomatit Sosoniuk.

Tensionet mes Moskës dhe Kievit janë shtuar në javët e fundit pas grumbullimit të trupave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe përleshjeve mes forcave ukrainase dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës.