Kosova

KShM merr masa për shkelësit e rregullave gjatë mbajtjes së provimit të Maturës Shtetërore

Komisioni Shtetëror i Maturës (KShM), ka mbajtur sot takim, ku ka analizuar raportet e ardhura nga terreni pas përfundimit të ditës së parë të provimit të Maturës Shtetërore në regjionin e Prishtinës. Komisioni ka konstatuar se, në përgjithësi testi ka shkuar mirë dhe nuk ka pasur parregullsi të mëdha që ndikojnë në proces.

Gjatë mbajtjes së testit janë përjashtuar nga procesi 54 nxënës, të cilët do ta humbin këtë afat të testimit.

Administruesit, të cilët i kanë shkelur rregullat janë: Luljeta Gashi, Kimete Mejtani dhe Hazbije Zeqiri, të cilat kanë qenë të angazhuara në Podujevë. Ndërsa, edhe për dy administrues të tjerë, janë duke u vërtetuar provat për shkelje dhe gjatë ditës së nesërme, nëse vërtetohen shkeljet, do të bëhen publik emrat e tyre.

Ndaj këtyre administruesve të lartcekur do të iniciohen masat sipas vendimeve në fuqi.

Me këtë rast, KShM falënderon drejtoritë komunale të arsimit të komunave përkatëse, për përgatitjet e duhura për këtë provim. Po ashtu, Komisioni falënderon edhe Policinë e Kosovës dhe të gjithë akterët tjerë të përfshirë në proces dhe që e kanë kryer detyrën e tyre sipas rregullave të Provimit të Maturës Shtetërore. /Kosova.info/