Kryeziu: Vuçiqi peng i së kaluar dhe i dëshpëruar

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk është herë e parë që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq kërcënon Kosovën.

“Kjo nuk është hera e parë që presidenti i Serbisë bën deklarata të ngjashme përmes së cilës shfaq synimin e tij për invazion në Kosovë. Në një rast të mëparshëm ka pasur si referencë konfliktin në Nagorno Karabakh ndërmjet Armenisë dhe Azerbajxhanit duke marrë si shembull veprimet e këtij të fundit”, tha ai për RTKlive.

Sipas tij, kësaj radhe, ky kërcënim erdhi mu në përvjetorin e dakordimit në Ohër mbi Aneksin e Zbatimit të Marrëveshjes Bazike.

“Si për të vërtetuar që Serbia fare nuk e ka mendjen te zbatimi i saj. Serbia vazhdimisht shprehet publikisht që nuk e njeh integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës. Veçanërisht u potencua ky mesazh i rrezikshëm me 26 tetor, pas takimit me krerë shtetesh dhe liderë të BE-së në Bruksel, aty ku dhe përsëri u refuzua nga ana e Vuçiq nënshkrimi i marrëveshjes”, deklaroi ai.

Duke shtuar se edhe pse kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës dhe retorika luftënxitëse nga krerët e shtetit serb kanë një histori të gjatë që përsëritet vazhdimisht, ato nuk duhet të kthehen në deklarata normale të rendit të ditës.

“Ato nuk mund të shpërfillen e as të injorohen, apo të cilësohen thjesht si deklarata për konsum të brendshëm. Ato duhet të përcillen me vigjilencë të lartë dhe të dënohen ashpër edhe nga komuniteti ndërkombëtar, si nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar e me radhë. Si një peng i së kaluar që është e i dëshpëruar që nuk mund ta kthejë kohë mbrapa, Vuçiq shpreson rrezikshëm që metodat e së kaluarës një ditë mund të jenë zgjidhja në të ardhmen”, tha ai.

Go to TOP