Kosova

Kryeziu: Nuk mund të ketë qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve

Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në emisionin e sontëm “Speciale” në Klan Kosova, Taulant Kryeziu, e ka kritikuar presidentin e vendit, Hashim Thaçin, për faktin se ky i fundit i ka ftuar sot partitë politike në takim, për të folur rreth mundësisë së krijimit të një qeverie te re, apo shkuarjes në zgjedhje.

“Nuk mund të ketë qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve. Presidenti ka detyrim kushtetues që herën e parë t’i drejtohet vetëm fituesit, e jo partive të tjera. Le të ma gjejë presidenti se ku ne e kemi refuzuar çështjen e mandatarit, dhe përveç kësaj, nuk ka një afat kohor që duhet t’i përgjigjemi, marr parasysh rrethanat me Covid-19”.

“Mbase kompetencat nuk po i bijnë për shtati tani dhe presidenti ka dalë nga roli i vet neutral”.

“Qytetarët e kanë kuptuar saktësisht lojën dhe teatrin që po zhvillohet para syve. Tendenca është me e zhbë një rezultat që është vendosur në kutitë e votimit”.

“Presidenti i republikës edhe sipas aktgjykimit që po i referohet vet nuk ka pasur të drejtë që në raund të parë t’i ftojë partitë për konsultim. Në herën e parë është dashur t’i drejtohet vetëm fituesit. Ne kemi dhënë përgjigje me argumente në gjithë ato letra dhe kemi thënë që për ne sot është prioritet vetëm Covid 19”.

“Po të ishin të bindur ata që janë mirë te qytetari, jo Covid, por për çkado do të shkonin në zgjedhje, mirëpo ata rezultatin e dijnë”.

“Ideja e tyre është të shkohet sa më shpejtë në marrëveshje që po shihet se është e dëmshme. E kanë parë se si i është qasur Albini dialogut”.

“Gjykata Kushtetutuese do të jetë institucion ku do ta adresojmë çështjen e shkeljes kushtetuese. Nuk është  dashur fare që të takohen partitë e tjera në raundin e parë, vetëm në raste sikur ne të tërhiqeshim nga ajo e drejtë”.

“Nuk kemi detyrim kushtetues për ta dërguar mandatarin në siuatën në të cilën jemi”.

“Ne ende nuk e kemi dhënë përgjigjen tonë, të cilën gjë do e bëjmë. Le të ma gjejë dikush nenin ku presidenti mund të përcaktojë afate”.

“Ne e kemi thënë që në momentin që përfundon çështja e pandemisë, do i kthehemi presidentit”, deklaroi Kryeziu.

Leave a Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.